Rama: Opozita dhe Meta përdorin vrasjen e të riut për pushtet

Pas dy vitesh në krye të Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshaj dorëhiqet. Shkak për lënien e detyrës u bë vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi Novaldo Hajdaraj. Dorëheqja e Sandër Lleshaj është pranuar nga kryeministri Edi Rama që në qëndrimin e tij pas humbjes së jetës së riut nga arma e shtetit, e zhveshi atë nga përgjegjësia e drejpërdrejt dhe jo nga ngjarja tragjike e mëngjesit të së martës.
Duke e quajtur të pajustifikueshëm aktin e efektivit të policisë së shtetit, kreu i qeverisë e cilësoi atë një përjashtim tragjik që do të hetohet në mënyrë paanshme.
Presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratit Lulzim Basha u kërkoi të mbyllin gojën kur akuzojnë pa të drejtë policinë, për përdorim të dhunës ekstreme ndaj qytetarëve.
“Tragjedia e natës së para dy ditë është një episod fatal, i pafalshëm por i palidhur me një frymë në policinë e shtetit. Dhe presidenti i Republikës është i parafundit që duhet të hapë kamarën e gojës për sjelljen e policisë së shtetit. Kurrë nuk e ka thënë një fjalë të vërtetë solidariteti, por se është një prej shembujve më të këqij për sjelljen shtetërore dhe institucionale. I fundit që duhet të japë është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai është shembulli i pafuqisë karakteriale. Është ministri i masakrës së 21 Janarit ku u vranë katër protestues krejt paqësorë. Është ndotësi numër 2 i policisë së shtetit, me baltën. Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, gjendja e rendit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, sjellja e policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Por sigurisht që si çdo pyll me derra, edhe policia e shtetit ka të padenjat e saj. Unë jam krenar që në këto 7 vite protesta e ka humbur qytetarinë e saj.”
Pasi u deklarua krenar për policinë e shtetit që në të gjitha protestat gjatë shtatë viteve të qeverisjes së tij është treguar e përmbajtur, madje sot numërohen me dhjetëra të dëmtuar nga aktet e dhunshme të protestuesve, Edi Rama, tha se policia e shtetit i shërben vetëm qytetarit dhe jo pushtetit.
Para se kryeministri të mbante qëndrimin e tij për vrasjen e Klodian Rashës, që shkaktoi protesta të dhunshme në Tiranë dhe disa qytete të vendit, Edi Rama ishte për ngushëllim në familjen e të ndjerit.




