Kryeministri Edi Rama është besimplotë se brenda dy muajve të parë të vitit 2021 edhe në Shqipëri do të nisë vaksinimi kundër koronavirusit.

 

Rama tha para gazetarëve se ka një problem me sigurimin e vaksinës sepse kërkesa është më e lartë nga ajo çfarë prodhohet. Por kryeministri shtoi se po diskuton vazhdimisht edhe me vendet mike për ta siguruar atë sa më parë për shqiptarët.

 

“Ne jemi çdo ditë në punë për këtë çështje. Tjetër çfarë thuhet nëpër media dhe tjetër është realiteti konkret i situatës me vaksinën. Shifrat e vaksinave që po marrin vendet e mëdha krahasuar me pritshmëritë e tyre, janë jashtëzakonisht të ulëta. Është tjetër gjëja që lëviz pas ekraneve dhe pas portaleve. Problemi është që kërkesa është më e lartë sesa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël sesa nevoja. Ky është një problem i madh në fazën e parë. Mos harroni që në SHBA është vendosur ndalimi i eksportit të çdo sasie. Vaksina Pfizer që është e aprovuar, sasinë kryesore e kanë SHBA. Ne jemi në komunikim me të treja kompanitë, edhe me Pfizer, edhe me AstraZeneca, edhe me Moderna. Jemi në komunikim edhe me disa shtete mike. BE ka marrë një vendim goxha për të ardhur keq që për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jepen teprica. Këtu nuk ka teprica sepse çdo vend ka shumë më pak seç kishte planifikuar. Ne nuk do të mbetemi mbrapa të tjerëve. Në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë të vaksinojmë. Për data nuk mund të flas. Brenda dy muajve të parë të muajve të ardhshëm këtu do të fillojë vaksinimi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *