Rama nga Spanja: Kongresi Botëror i Ligjit do të sjellë rreth 3 mijë juristë në Tiranë

Kryeministri Rama është pritur këtë të premte nga Mbreti Felipe i Gjashtë, në Pallatin Mbretëror në Madrid.
Ai është i ftuar në ceremoninë e dhënies së Çmimit Universal Spanjoll, një çmim ndërkombëtar që u jepet atyre që kanë dhënë kontribut në promovimin dhe përmirësimin e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë spanjolle në mbarë botën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë tha do të nënshkruhet marrëveshja për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë dhe do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
“Në mikpritjen e bukur edhe për nder të Shqipërisë, organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI, me anëtarët e bordit të “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota, në vigjilje të nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës”, shkruan Rama.
/vizionplus.tv




