Subscribe

Kryeministri Edi Rama shprehet optimist për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit përballë opozitës, për të cilën thekson se e ka mundur në çdo sfidë.

 

Nga Puka, kryesocialisti nuk ka nguruar të përsërisë retorikën e tij ironizuese ndaj kundërshatrit, duke thënë se ndodhet në hall dhe nuk ka asnjë alternativë konkurruese.

 

“Miqtë tanë më të mëdhenj që na besojnë dhe mbështesin, dhe na e thonë troç na e hiqni këtë surrat se nuk duam ta shohim me sy. Ne socialistët s’e kemi pasur ndonjëherë opsion, sa herë na ka dalë përpara e kemi hequr. Problemi janë demokratët sepse janë në pikë të hallit pa alternativë konkurruese. Ata duhet ta bëjnë këtë hap që ti hapin rrugë rilindjes së asaj force. Ne do ta bëjmë opozitës. Po e mundim sa herë na del përpara. Por ama ua kam thënë që në 2013, kur dola në parlament për të prezantuar programin kërkuan dorëheqjen e qeverisë. U thashë se nëse do të vazhdoni kështu do të jeni gjatë aty ku jeni”, tha Rama.

 

Nga ana tjetër, Rama mohoi akuzat e opozitës se mazhoranca intimidon qytetarët për të votuar në favor të saj.

 

Kryesocialisti shtoi se në fakt janë kandidatët e tij që po i drejtohen autoriteteve për të mbrojtur zgjedhjet.

 

“Dhunën e bën opozita dhe jo pushteti dhe kryetarët tanë të Bashkive i drejtohen policisë për të mbrojtur zgjedhjet nga ata që vijnë për të marrë pushtetin, në funksion të asaj faqes së zezë që është në Tiranë. Çfarë po i bëjmë ne opozitës, përveçse po e mundim”, tha Rama.

 

Rama kërkoi votëbesim në sfidën e radhës, duke thënë se pushteti nuk mund të lihet në duart e atyre që përdorin armë sa herë ka zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *