Shqipëria është shumë pranë hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama ka marrë një mesazh pozitiv gjatë takimit me Komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn në Bruksel, ku u diskutua progresi i qëndrueshëm në përmbushjen e prioriteteve kyçe të integrimit.

 

Në takim theksi u vu tek ecuria e procesit të Vetting-ut, që këtë javë hyn në fazën vendimtare të zbatimit, me fillimin e dëgjesave publike të gjykatësve e prokurorëve të nivelit të lartë përpara komisionit të shkallës së parë.

 

Pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar ka qenë një prej kushteve kryesore që Komisioni Europian i vendosi Shqipërisë në progresraportin e vitit 2016.

 

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Rama u takua edhe me homologun belg Charles Michel, i cili mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, duke nënvizuar ecurinë pozitive të reformave, në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim.

 

Në muajin shkurt, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini dhe komisioneri Hahn prezantuan Strategjinë e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokument i cili ka për qëllim integrimin e rajonit, por në bazë të meritave të gjithsecilit. Viti 2025 nuk shihet nga zyrtarët e lartë si datë fikse për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, por një perspektive realiste per te përmbushur të gjitha detyrimet, jo vetëm nga vendet që tashmë janë në proces negocimi.

 

Vizita e kryeministrit në kryeqendrën e BE-së zhvillohet pak javë nga publikimi i raportit të Progresit të Komisionit Europian të 17 prillit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *