Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama këtë të premte është ndalur në Shkodër, Velipojë me përfaqësuesit e bizneseve. Kryesocialisti shoqërohej nga kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci dhe ai i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria është e vendosur të fuqizojë mbështetjen për ekonominë vendore në Shkodër dhe Lezhë, përmes projekteve ambicioze që synojnë jo vetëm zhvillimin e infrastrukturës, por edhe rritjen e të ardhurave kombëtare përmes turizmit cilësor.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e investimeve në nënstacione të reja energjetike, rrugë lidhëse dhe zhvillimin e zonave malore si Thethi, duke përmendur gjithashtu një rrjet unik arkitektësh që po punojnë në projekte të një gjenerate të re.
“Synojmë të tërheqim turistët me fuqi të lartë shpenzimi dhe të krijojmë një infrastrukturë që rrit cilësinë dhe punësimin në vend,” tha Rama, ndërsa pranoi se janë bërë gabime në të shkuarën, veçanërisht në zhvillimin e bregdetit.
Rama: Fuqizojmë mbështetjen për gjithë ekonominë vendore të Shkodrës dhe të Lezhës. Shtojmë të ardhura të tjera për ekonominë tonë kombëtare. Jam optimist për stokun e projekteve sepse janë projekte të një gjenerate tjetër. Kemi mbledhur një rrjet unikal arkitektësh. Janë projekte shumë ambicioze dhe do të tërheqin atë që na mungon, fuqinë e madhe të konsumit nga ana e kategorisë së turistëve që shpenzojnë shumë. Ata kanë nevojë për këtë lloj infrastrukture të re që po krijojmë. Pastaj të ardhurat rriten në mënyrë të jashtëzakonshme ashtu siç rritet edhe mundësia dhe nevoja për të paguar shumë më tepër stafet sepse e gjitha lidhet me cilësi. Unë do t’iu them që të synoni maksimumin e cilësisë. Ne do të jemi mbështetës për gjithë këto hapësira të reja. Kemi bërë shumë gabime në të shkuarën, kemi bërë gabime në zhvillimin e bregdetit.
Projekti për nënstacionin e ri në Lezhë është gati, në Shëngjin dhe do të fillojë nga ndërtimi. Ashtu sikundër kemi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit projektin e fuqizimit të rrjetit në Alpet që do të prekë të gjitha pikat ku ka filluar të lulëzojë si në Theth një turizëm me një të ardhme të jashtëzakoshme. Kemi dhe një projekt tjetër. Pjerini ka urdhëruar dhe unë kam pranuar të zbatoj, projekti i lidhjes së zonës së Tales me bregdetin përmes rrugëve të brendshme, ku faktikisht s’ka infrastrukturë që të mbështesë këto zhvillime. Ndërkohë që deri dje s’ka qenë as nevoja për të pasur. Dhe ByPassi i Shëngjinit./vizionplus.tv