Rama në SHBA, Salianji: Nuk ka surpriza, ishte aty si përfaqësues i Shqipërisë

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka komentuar pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Uashington në inaugurimin e Bordit të Paqes.
Salianji tha se nuk përbën lajm, pasi Rama ishte aty si përfaqësues i Shqipërisë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Pas shumë muajsh Rama në SHBA, si e patë?
Salianji: Pjesë e Bordit të Paqes është Shqipëria. Rama është përfaqësues i Shqipërisë. Është absolutisht pozitive që Shqipëria dhe Kosova të jenë në krah të SHBA-së, por edhe që SHBA-ja ka zgjedhur që Shqipëria dhe Kosova të jenë aleatë të shkëlqyer në rajon. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë përherë aleate të SHBA-së. Nuk shoh ndonjë lajm.
Borakaj: Mund të kishin zgjedhur edhe Presidentin e Republikës?
Salianji: E zgjedh vendi që i shkon ftesa.
Minga: Ftesa është me emrin e Edi Ramës.
Borakaj: Ftesa kaloi në parlament dhe u zgjodh me emrin e Edi Ramës.
Salianji: Ftesa i drejtohet shtetit, presidenti ia përcolli te kryeministri. Ftesa ishte për Edi Ramën, por në Bordin e Paqes ishte për Presidentin. Nuk ka lajm këtu. Unë jam kundër kësaj narrative që ka pasur PD-ja, “do vijnë e ta marrin me helikopter”.
Borakaj: Por që kishte marrëdhënie të tensionuara mes Ramës dhe SHBA-së?
Salianji: Ju mendoni se Trump e ka mendjen te Rama? Nuk kam as koment, as surprizë. Është si shumë krerë shtetesh të tjerë aty. Ka qenë i ftuar edhe Presidenti i Bjellorusisë. Kjo është një organizatë që nuk kontrollon nivelin e demokracisë; është një organizatë që kërkon të rindërtojë Gazën, por që duket se ka në plan të funksionojë si një bord që, kur nuk funksionon OKB-ja, do të jetë si OKB.




