Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael, ku po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Gjatë qëndrimit të tij, Rama ka ndarë në rrjetin social Facebook disa fotografi nga vizita në Nova Site, e cila përbën ndalesën e parë të vizitës së tij në Izrael. Në mesazhin e publikuar, Kryeministri thekson se ky vend është shndërruar në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes.
Në këtë vizitë zyrtare, Kryeministri shoqërohet nga një delegacion shqiptar, si edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
“Nova Site, Izrael 🇦🇱🤝🇮🇱
Stacioni i parë në Izrael – një vend që kumbon pa fjalë🙏
Mes humbjeve rrëqethëse, një pyll festash i kthyer në një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes🕊️”, shkruan Rama.
Axhenda e Kryeministrit dhe e bashkëshortes së tij, Linda Rama, është bërë e ditur edhe në seancën plenare të Parlamentit izraelit. Në këtë kuadër, Edi Rama pritet të mbajë një fjalim të cilësuar si historik në Knesset.
Ky fjalim është pjesë e protokollit të posaçëm të Parlamentit izraelit, i rezervuar për një numër të kufizuar udhëheqësish të huaj, ku së fundmi një fjalim të tillë ka mbajtur edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Axhenda:
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.
/vizionplus.tv





