Subscribe

Kryeministri Edi Rama, këtë të enjte ndodhet në Itali, ku ka marrë pjesë në panairin me investitorë në Forumin ‘Ekonomia blu e Mesdheut’.

 

Në fjalën e tij nga panairi kryeministri Rama ka ftuar të gjithë investitorët që të shikojnë Shqipërinë si një vend për të investuar për shkak të favorizimeve që bëhen nga vendi ynë.

 

Forumi u organizua në kuadër të sesionit të 3-të të panairit të Fiera del Levante në Bari. Në këtë panair, Shqipëria është e pranishme edhe me stendat e saj, të cilat u vizituan edhe nga Kryeministri.

 

Rama ka thënë se Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa u tmerruar nga taksat dhe burokracia.

 

“Unë besoj se në fushën e “blue economy” është e gjitha për t’u bërë dhe kemi shumë interesa të përbashkëta evidente. Siç është e qartë që ka vetëm për të fituar nëse bëhemi bashkë për të zgjeruar këtë hapësirë turistike, sigurisht, duke përfituar nga ky ridimensionim i rajonit të Pulias, që është kthyer sot në një destinacion gjithmonë e më tërheqës për të gjitha nivelet e konsumatorit turistik, por duke shtuar edhe Shqipërinë që po përjeton një rritje të fortë turistike. Rritemi çdo vit dhe në katër vitet e fundit kemi dyfishuar numrin e turistëve. U nisëm nga 2,9-3,1 milionë në vit dhe tani jemi mbi 6 milionë në vit. Një shifër mjaft e rëndësishme, por edhe një sfidë për Shqipërinë, sepse duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi me kapacitete akomoduese, infrastrukturë e të tjera. Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa qënë të terrorizuar nga taksat dhe burokracia. E gjithë ajo që ata ëndërronin të kishin nga Berlusconi, e kanë në Shqipëri, një vend pothuajse pa taksa. Kush investon sot, në Shqipëri, në turizëm hotele me pesë yje, 10 vitet e para të aktivitet i ka pa asnjë taksë dhe një TVSH prej 6%. Ata që jetojnë me turizmin e kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë kjo.

Të investosh në agroturizëm është pothuajse e njëjta gjë, ka një taksë prej 5% dhe TVSH prej 6%. Për gjërat e tjera nga pikëpamja e taksave jemi një vend mjaft normal dhe i krahasuar me Italinë jemi një parajsë mbi tokë.

Ne kemi një respekt të madh dhe një interes për të lidhur edhe botën universitare, botën akademike dhe shërbimet shëndetësore. Ne jemi shumë të kujdesshëm ndaj të gjithë sipërmarrësve që vijnë përtej kufijve të vendit, sidomos ndaj investitorëve puliezë. Kemi edhe një qendër të Pulias në Shqipëri, të drejtuar nga miqtë puliezë. Ata e dinë se dyert gjithmonë janë të hapura ndaj tyre dhe nuk duhet të mundohen e stërmundohen në pritje të një lejeje, apo të një licence. Në fund të fundit jemi shumë afër. Për të ardhur dje në Bari na u desh gjysma e kohës për të shkuar nga Tirana në Vlorë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *