Deputeti socialist Erjon Malaj e cilësoi si një vlerësim të madh për Shqipërinë faktin që është shtet themelues i Bordit të Paqes në Washington, i cili nisi zyrtarisht punën sot.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, ai u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në këtë nismë është dëshmi e rolit të saj si aleate e qëndrueshme e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
I pyetur për peshën politike të pranisë së kryeministrit Edi Rama në Washington, shtrëngimin e duarve me presidentin Donald Trump dhe qëndrimin e tij për liderët e UÇK-së në Hagë, Malaj theksoi se kryeministri ka mbajtur një linjë të qëndrueshme.
Sipas tij, fakti që aktualisht vetëm dy vende anëtare të BE-së janë pjesë e Bordit të Paqes, Hungaria dhe Bullgaria, nuk përjashton mundësinë që edhe shtete të tjera t’i bashkohen kësaj nisme në të ardhmen.
INTERVISTA E PLOTË
Çfarë do të thotë për Shqipërinë të qenit një shtet themelues i Bordit të Paqes në Washington, që nisi sot zyrtarisht punën?
Malaj: Është vlerësim, sigurisht, për Shqipërinë. Një vend i vogël, por që gjithmonë ka qenë në krah të aleatëve të saj, siç janë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian. Në këtë rast, në një unanimitet të plotë, partitë politike në Shqipëri u shprehën të gatshme menjëherë që Shqipëria të ishte pjesë e këtij Bordi të Paqes. Një ftesë që i erdhi kryeministrit Rama nga presidenti Donald Trump, e cila u vlerësua në maksimumin e rëndësisë nga gjithë politika shqiptare. Qenia pjesë e saj, sigurisht, për ne është krenari, por edhe përgjegjësi.
Si mund ta lexojmë ne politikisht praninë e kryeministrit Rama në Washington, shtrëngimin e duarve me presidentin Trump, qëndrimin e kryeministrit Rama në fjalimin që mbajti dhe kërkimin e ndihmës për liderët e UÇK-së që janë në Hagë? Pra, nga kjo pikëpamje, çfarë peshe ka ky lloj qëndrimi i z.Rama në Washington?
Malaj: Sigurisht që qëndrimi i z.Rama ka qenë konsistent gjatë gjithë kohës. Ashtu siç bëri në Shtetet e Bashkuara sot, ashtu ka bërë edhe më parë në Tiranë. Deklaratat e tij kanë qenë të gjitha në një linjë. Pikë së pari, duhet vlerësuar fakti se ai u ftua nga presidenti Trump për të përfaqësuar një vend mik siç është Shqipëria, dhe sigurisht që marrëdhënia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithnjë e shkëlqyer dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Ndërsa për sa i përket deklaratës së tij mbi katër heronjtë, ish-komandantët e UÇK-së, të cilët sot padrejtësisht po mbahen në Hagë, ato janë po në të njëjtën linjë me deklaratat që kryeministri ka dhënë edhe më parë në Tiranë. Është e qartë tashmë për gjithë botën demokratike se ai presion ndaj jo vetëm atyre katër heronjve, por ndaj luftës që shqiptarët kanë bërë për pavarësi dhe liri në Kosovë, është njëkohësisht një fyerje edhe për ata ndërkombëtarë, si NATO apo Shtetet e Bashkuara, që mundësuan që sot Kosova të jetë e pavarur.
A ishte kjo, një përgjigje ndaj akuzave të opozitës, e cila ka pretenduar së fundmi se ka një ftohje në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare?
Malaj: Më vjen keq, por nuk besoj se është e nevojshme t’i jepet një përgjigje çdo lloj aludimi që vjen nga opozita. Opozita ka hallet e veta dhe në këtë mes përpiqet të përcjellë informacione që nuk janë të sakta. Shtetet e Bashkuara me qeverinë shqiptare kanë pasur dhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe do të vazhdojnë ta kenë. Vizita e sotme besoj se është e qartë për gjithë skeptikët, marrëdhënia është jo vetëm në nivelet më të larta, por edhe takimi, bisedat dhe shtrëngimi i duarve mes presidentit Trump dhe kryeministrit Rama ishte mesazhi më i qartë për ata që kishin nevojë për një të tillë. Të tjerët e kanë pasur gjithmonë të qartë marrëdhënien e z.Rama me Trump apo të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara.
Çfarë kontributi konkret mund t’i japë Shqipëria, që duhet ta pranojmë se është një vend i vogël dhe jo me një peshë shumë të madhe në këtë bord?
Malaj: Ne gjithmonë kemi ditur të japim kontributin tonë sa herë që jemi gjendur krah aleatëve tanë nëpër nisma të ndryshme, qoftë në misione paqeje siç kemi bërë në Afganistan e në Irak, apo në çdo moment tjetër kur kanë pasur nevojë për ndihmën e Shqipërisë, siç ishte edhe trajtimi i situatës me afganët që erdhën në vendin tonë. Besoj që absolutisht jemi në gjendje që, edhe pse një vend i vogël, të japim një kontribut aty ku kërkohet, dhe kështu do të jetë edhe në Bordin e Paqes.
A mund të sjellë komplikime në raport me Bashkimin Evropian qenia e Shqipërisë në Bordin e Paqes, që është një nismë tërësisht amerikane, por që deri më tani është përballur me një lloj skepticizmi në Bruksel?
Malaj: Jo, nuk ka pse të sjellë asgjë. Rrugëtimi ynë në Bashkimin Evropian tashmë është në rrugën e duhur. E kemi të qartë që synim kryesor kemi integrimin në familjen e madhe evropiane. Kemi hapur tashmë të gjithë grup-kapitujt dhe jemi në proces për mbylljen e tyre, gjë që do të jetë një proces shumë i vështirë. Ajo çfarë është e rëndësishme është se Shqipëria i njeh prej kohësh aleatët e saj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, dhe këtu nuk ka asnjë lloj dallimi mes tyre. Përkundrazi, mendoj që ne gjithnjë kemi qenë konsistentë në qëndrimet tona, prandaj nuk shoh asgjë për t’u shqetësuar. Për më tepër, edhe vetë Bashkimi Evropian nuk ka dalë në unison me një vendim të caktuar. Aktualisht janë vetëm dy shtete anëtare të BE-së në Bordin e Paqes, Hungaria dhe Bullgaria, por nuk është çudi që së shpejti të ketë të tjerë. Besoj se po fillon të kuptohet rëndësia e këtij bordi dhe të mos ketë më paragjykime.
/vizionplus.tv





