Rama në Athinë: Problemet zgjidhen me dialog, shembull Maqedonia e Veriut
Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e dialogut si të vetmen rrugë që rajoni të gjejë paqe, duke zgjidhur çështjet e mbartura. Në forumin e organizuar nga “THE ECONOMIST” në Athinë, me temë “Ballkani Perëndimor përtej vitit 2020”, Rama ka deklaruar se e vetmja alternativë për Shqipërinë, mbetet integrimi në BE.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
“Ne nuk kemi një alternativë tjetër veçse të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Jo sepse na e kërkojnë miqtë e fuqishëm por sepse kjo është një kërkesë e fëmijëve tanë, e brezit të ardhshëm dhe është ëndrra e etërve tanë. Në Ballkanin Perëndimor, prej kohësh jemi përfshirë në një bashkëpunim. Edhe pse ka çështje të tilla si mos njohja e Kosovës nga Serbia, ne kemi qenë në gjendje të ulemi dhe të diskutojmë të ardhmen tonë bashkë. Besoj se ka potencial për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës. Mendoj se lajmi më i mirë është që mosmarrëveshjet mund të zgjidhen bashkarisht dhe dialogu është i vetmi instrument.”
Kreu i ekzekutivit veçoi rastin e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë si dhe integrimin e shqiptarëve si një shembull të jashtëzakonshëm që reflekton shpresë në rajon.
“Zgjidhja e konfliktit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë lidhet me një situatë ku ti shkon kundër tabuve. Dhe gjithashtu për gjuhën shqipe, integrimin e shqiptarëve në të gjithë piramidën e Maqedonisë së Veriut, është historike dhe një mësim për të gjithë. Sepse duke mos patur kurajo për të thyer tabutë të duket sikur po thyen karrierën, pro kjo nuk është mënyra e duhur. Kryeministri Zaev fitoi rreth kësaj bindjeje dhe kjo është e mrekullueshme. Të gjithë ne kemi mësuar diçka.”
Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në fjalën e tij nënvizoi se e rëndësishme është që t’i tregohet botës, veçanërisht për Europën Juglindore, se çdo marrëveshje, çdo miqësi apo shtrëngim duarsh, sjell vërtet rezultatet më të mira.




