Një ditë pasi Parlamenti miratoi moratoriumin 10-vjeçar për përdorimin e lëndëve drusore, kryeministri ka marre pjesë ne mbjelljen e 5 mijë pishave të egra, pranë lagjen Goricë, në Berat.
“Është i domosdoshëm shoqërimi i moratoriumit me forcimin e masave ndëshkimore për krimet mjedisore. Paketa që do të kalojmë së shpejti në Parlament do të kompletojë kuadrin ligjor dhe do të krijojmë një ekuilibër midis punës intensive për ripyllëzim dhe kontrollit shumë të rreptë për cenimin e sipërfaqes apo qoftë një peme të vetme, sepse nëse nuk funksionon e dyta, e para është si një mur i Kështjellës së Rozafës, ndërto ditën dhe prish natën.”
Ministria e Mjedisit po zbaton projektin e inventarizimit të fondit pyjor dhe kullotave, i cili do të përfundojë brenda vitit 2017 dhe do të mundësojë zbatimin e një strategjie të integruar për mbrojtjen dhe zhvillimin e sipërfaqeve të gjelbra.
“Shumë prej qytetarëve shqiptarë kishin filluar ta besonin si një fat jetesën me atë degradim dhe agoni të pyjeve, ndaj jam i bindur që moratoriumi është një ndër vendimet më historike të këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie. Ne do t’i kthejmë Shqipërisë atë sipërfaqeje të gjelbër që sot e kemi shumë të cunguar. Vetëm 26% e territorit të vendit është e mbuluar me bimësi, por unë jam i bindur që do të kemi pas 10 vitesh një Shqipëri shumë të ndryshme”.
Të dhënat nga qeveria tregojnë në periudhën 2007-2013, ështrë shkaktuar një katastrofë mjedisore pasi janë prerë dhe djegur qëllimisht rreth 17% e fondit pyjor të Shqipërisë.