Subscribe

Kryeministri Edi Rama i tërhoqi vëmendjen Bashkimit Evropian pse ende nuk ka liberalizuar vizat për Kosovën. Këtë vendim, kryeministri e quajti një turp për BE pasi sipas tij, Kosova e meriton t’i liberalizohen vizat sepse ka plotësuar çdo detyrë.

 

“Nuk e di çfarë duhet të besoj për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mos-liberalizimi i vizave është një turp për BE, një turp i pashlyeshëm dhe i pajustifikueshëm për sa kohë mosliberalizimi i merituar mbetet në fuqi, jo se Kosova s’ka bërë detyrat, por sepse Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara në BE. Kam folur pa pushim për këtë temë me të gjithë ata që kam takuar dhe nuk arrij të kuptoj asgjë nga ato që thonë, por kuptoj që arsyeja është ajo që nuk thonë. Kosova e paguan me mosliberalizim të vizave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash dhe rajoni e paguan në tërësi.”

 

Shefi ynë i qeverisë përmendi edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në SHBA. Rama tha se në këtë mënyrë ju hap rruga dialogut dhe fitores reale.

 

“Kosova mbajti një qasje kurajoze ndaj Serbisë duke hequr kështu çdo pengesë për rinisjen e dialogut që në fakt koha dha faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova fatkeqësisht ja vuri vetvetes. Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim nga dialogu krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale, por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë së brendshmi, qoftë së jashtmi. Konsensusi i brendshëm për qëndrimin ndaj dialogut është një domosdoshmëri që unë uroj dhe shpresoj të mbetet e tillë. Sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë rezultatet e ndërmarrjes së një rruge me perspektivë.”

 

Deklaratat Edi Rama i bëri gjatë mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri në Pallatin e Kongreseve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *