Subscribe

Inceneratorët dhe sterilizimi janë dy vendimarrje që Edi Ramën e bëjnë krenar.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto partneritetet publike – private që kemi bërë, 100 herë, sepse veprat janë ato që mbeten.

 

Transformimi në administrimin e mbetjeve dhe në ndërhyjet kirurgjikale me pajisje bashkëkohore dhe të sigurta thotë Edi Rama janë shumë më të rëndësishme se korrupsioni në procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të tre djegësve dhe me Partneritet Publik Privat të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për të gjitha spitalet në vend.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Nëse ka abuzim apo jo këtë do ta tregojë procesi gjyqësor, por nga ana tjetër, nëse është gjëja e duhur për tu bërë, këtë e tregon realiteti i përditshëm, kaq e thjeshtë është dhe këtu tek realiteti mbaron detyra ime, tek abuzimi fillon detyra e SPAK-ut. Tek realiteti mbaron detyra e pushteti ekzekutiv, tek abuzimi fillon detyra e pushteti gjyqësor. Janë dy gjëra të ndara.

 

Të dyja kontratat janë objekt hetimi i SPAK dhe për të cilat janë arrestuar dhe në burg ish zyrtarë të lartë socialistë. Për to Edi Rama i ofroi mbështetje të plotë Altin Dumanit për të çuar para drejtësisë këdo nga të tijët që dyshohet se është i korruptuar. I fundit për të cilin kërkohet që të hetohet nga gjykata e posaçme është edhe ish Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj për kontratën me PPP të sterilizimit.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Unë i inkurajoj që t’i nxjerrin ujin e zi çdo çështje, çdo rasti, çdo ngjarje, çdo aktiviteti të kujdoqoftë në rast se ka ujë të zi. T’ia nxjerrin komplet dhe kanë gjithë mbështetjen time. Nëse dikush shfrytëzon rrugën e përbashkët për qëllimin e përbashkët për të kapur mandarina ndërkohë që ne shkojmë në luftë, do paguajë. Kështu funksionon.

 

Dhe të njëjtin standart atë të “pagimit” pa ndërhyrë në vendimet e drejtësisë do të mbajë edhe për rastin Belerin me gjithë kërcënimet e Greqisë për bllokim fondesh apo vetoje në rrugën anëtarësuse të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Asnjë lloj interference ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë. Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë. Kjo është e panegociueshme për forcën që sot qeveris Shqipërinë. Të tjerët mund të bëjnë dhe mund të thonë çfarë të dëshirojnë, qoftë brenda, qoftë jashtë. Ne jo!

 

Akuzave të “Foltores” së Sali Berishës dhe kërkesës së ambasadës amerikane në Tiranë për të hetuar pas dyshimeve se persona të paautorizuar kanë ndërhyrë në sistemin TIMS, Edi Rama tha se bëhet fjalë për një problem teknik dhe jo vjedhje të dhënash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *