Paketa e maleve, forcimi i sektorit të emergjencave si dhe pastrami i mjedisit, ishin disa nga temat e diskutuara mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakëve të majtë.
Kreu i qeverisë mblodhi në Pallatin e Kongreseve drejtuesit e njësive vendore dhe në takimin që zgjati rreth dy orë, la një sërë porosish.
Ai ka kërkuar të ketë më shumë angazhim për mënyrën se si funksionojnë emergjencat civile në nivel lokal dhe gjithashtu të ketë më shumë progres në zbatimin e Paketës së Maleve.
Rama tha se për këtë nismë ka një interes të lartë dhe një pjesë e bashkive janë drejt përfundimit të hartave për zonat prioritare, ndërsa një pjesë tjetër tashmë i ka miratuar ato.
Sa i përket përpunimit të mbetjeve, kryeministri e ka vënë theksin tek zonat turistike pasi sezoni veror është në prag.
“Jemi duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve, sidomos në zonat turistike. Por duhet bashkëpunim mes nesh dhe jush”, mësohet të ketë thënë kryeministri.
Burime bëjnë me dije se pjesë e diskutimeve iu kushtua partneritetit të bashkive me sektorin privat, që mund të gjenerojë më tepër të ardhura për pushtetin vendor.
Problemet me hapësirat për parkimet ishin gjithashtu pjesë e bisedës. Ndërsa shtëpitë e vjetra apo objektet me rëndësi në qytete mund të kthehen edhe në muze.
Ndërkohë mbledhja e Ramës me kryebashkiakët nuk kaloi pa incidente. Kryetari demokrat i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, nuk u lejuar nga garda e republikës që të merrte pjesë në mbledhje, edhe pse ishte I ftuar.
Vetë Dodaj sqaroi më vonë se organizatorët i kkërkuan falje pasi bëhej fjalë për një gabim në dërgimin e ftesave. Dodaj është ftuar më pas që të futej në takim, por ai është tërhequr.





