Kryeministri Rama deklaroi në një dalje të posacme për mediat se mazhoranca  ka vendosur të mbështese idene për hapjen e listave zgjedhore.

Ky qëndrim i PS, shtoi Rama, nuk cënon marrëveshjen e arritur me PD në datën 5 qershor për Kodin e ri Zgjedhor.

Rama saktësoi se qëndrimi i PS për të mbështetur hapjen e listave, si një kërkesë të vetë qytetareve, nuk do të thotë që duhet të ndryshoje sistemi. Por me hapjen e mundshme te listave, Rama deklaroi se kjo gje do te bente te mundur hyrjen ne zgjedhje me koalicione.

“Patjetër që listat e hapura e bëjnë të pamundur formulën aktuale të koalicioneve, se i bie që të kemi në një fletë votimi, llogariteni, artimetikisht, 40 parti këtej dhe 40 andej, nga 35 kandidatë në Tiranë, një fletë votimi që do të ishte një qilim nga Universiteti deri te monumenti i Skënderbeut. Por kjo nuk do të thotë se kemi ndonjë tendencë apo qëllim që të pengojmë marrëveshjet, kjo është cështje e tyre”.

Kryeministri deklaroi se sistemi proporcional rajon nuk preket aspak në këtë, ndonëse sipas tij opozita jo parlamentare ka kërkuar sistem proporcional kombëtar.

Gjithsesi ai shtoi me tej se PS-ja nuk mund te mbahet peng nga asnje force tjeter politike.

Por nëse kreu i qeverisë deklaron se sistemi nuk cënohet duke hapur listat, ndryshe mendon PD e cila një ditë më parë deklaroi se në rast se mazhoranca vendos të hape listat, atëherë do të rrëzohet e gjithë marrëveshja e 5 qershorit për kodin e ri zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *