Prishtina dhe Beogradi kanë pranuar të vijojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u bazuar në një draft-statut unik sa i takon asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga diplomatët evropianë.

 

Duke përshëndetur këtë lëvizje që i jep shtysë vijimit të dialogut mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama shprehet se ndihet krenar për kontributin që ka dhënë shqipëria në këtë drejtim dhe se Tirana zyrtare mbështet fuqimisht Kosovën për zbatimin e marrëveshjes bazë.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale shefi i ekzekutivit shqiptar ka bërë të ditur se së shpejti do të udhëtojë drejt Prishtinës për të treguar personalisht mbështetjen e tij.

 

Në qershor të këtij viti, kryeministri Rama bëri të ditur se i kishte përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft për asociacionin e komunave serbe, për të cilin kishte vënë në dijeni edhe presidentin e KE-së, charles Mishel, dhe palën amerikane. Burime diplomatike në BE deklaruan asokohe se drafti i Ramës për asociacionin, ishte një “tekst serioz“ për Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *