Subscribe

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë për nderimin e Luiza Gegës, Kryeministri Rama tha se me fitoren e saj të merituar, kampionia e Europës i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie, si dhe imazhin e një Shqipërie që ja del me kokën lart mes gjithë të tjerëve.

 

Nuk na ndodh shpesh që të lëmë prapa Gjermaninë. Para ca kohësh dikush thoshte, “jemi të dytët pas Gjermanisë”, por sot këtu në këtë sallë, Gjermania është e dyta pas Shqipërisë dhe kur vjen fjala tek gara dhe tek adrenalina që gara prodhon për njerëzit, për komunitetet, për kombet, për gjithë popullsinë e botës, shteti ka kohë që e ka pranuar që e ka humbur rivalitetin me sportin.Në fakt nëse e shohim të gjithë rrugëtimin dhe vrapimin e Luizës deri kur ka zbritur në pistë për ato më pak se 10 minuta që tanimë i përkasin historisë, ato janë hapa të pafundëm sfilitjeje, gjaku, lotësh dhe djerse. Pikërisht me këto katër fjalë të kthyera në një mënyrë të jetuari, Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë letra të reja fisnikërie. Sipërmarrja e saj është marramendëse dhe kur flasim dhe mendojmë që çfarë i dhuroi Luiza Shqipërisë, imazhin e një Shqipërie që ia del, që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve. Është e pamundur të mos imagjinojmë se çfarë do të thotë kjo dhe është e pamundur të mos e shohim diferencën abisale mes këtyre katër fjalëve kaq të thjeshta dhe kaq të rënda dhe 400 milionë fjalëve të tjera të kota që konsumohen përditë dhe që nuk prodhojnë asgjë.Gjak, sfilitje, lot dhe djersë është parakushti i çdo ngadhënjimi, i çdo përparimi. Është vetë kushti për jetë a vdekje i të ardhmes dhe tek fitorja madhështore me rekord të ri të kampionatit europian është në fakt edhe një dëshmi e vyer për të gjithë ne, sportistë dhe jo sportistë, të rinj apo më pak të rinj, për të gjithë brezat.

 

Rama shtoi se suksesi i Luizës merr vlera të vecanta duke marrë në konsiderate faktin që edhe kushtet në të cilat ajo ka bërë sport nuk kanë qënë optimale.

 

Të jesh kampionë europiane në një vend që pistën e parë normale, që prapë është normale në anormalitetin e vet se është në pyll, të atletikës e ka ndërtuar tani, do të thotë t’i thuash të gjithëve që asnjë arsye sado objektive, asnjë pengesë sado objektive, asnjë distancë sado objektive me këdo qoftë para teje, nuk të pengon të ngjitesh në majë nëqoftëse ti je i vendosur të ngjitesh në majë dhe të paguash çmimin. Të paguash çmimin e sfilitjes, të gjakut, të lotëve dhe të djersës.

 

Rama sidoqoftë vuri në dukje, faktin që qeveria e tij ka ndryshuar shumë gjëra në sport, ndryshe nga sulmet apo pretendimet e një pjesë të politikes dhe të opinionit publik që sot sipas tij hedh vrerë.

Shumë do doja të flisja ende, por besoj se fjalët u thanë dhe për të mos marrë mësysh po i vë një hudhër fjalimit duke sjellë këtu në vëmendje një pjese brutale të komunitetit tonë që nuk e duron dot suksesin, nuk e durojnë dot dhe nga ana tjetër që nivelin e urrejtjes për tjetrin, s’ka rendësi nëse tjetri është i një ane tjetër politike, apo në një ane tjetër lagjeje, e ka te tillë sa është gati ta bëjë copë Shqipërinë, të bëjë copë çdo gjë që është shqiptare, jo se nuk e do atdheun, jo se nuk e do flamurin, jo se nuk e do shtëpinë e vet, por sepse nuk arrin dot ta kuptojë se atdheu nuk është vetëm i veti dhe i anës së vetë. Kjo arrin kulmin kur në vend të admirohet pikërisht ana reale e suksesit, që s’ka të bëjë fare me financat, që s’ka të bëjë fare me kushtet, por ka të bëjë vetëm me ëndrrën dhe vullnetin për ta ndjekur ëndrrën deri në fund. Shpotitet suksesi dhe flitet për euro, flitet për braktisje, për vuajtje dhe sfilitje. Kam vetëm një fjalë për t’u thënë këtyre. Shqipëria sot i shpërblen, sot, – jo Luizën sot, Luiza sot është vazhdimi i një rruge të hapur prej disa kohësh, – sportistët që bëjnë sukses më shumë sesa shumë vende të tjera shumë më të suksesshme. Mbase sepse ata kanë më shumë kampionë se ne, por e vërteta është kjo dhe unë dua ta falënderoj edhe Borën, edhe Evisin, edhe Fidelin që nuk folën për shifra.Shifra e mbështetjes për Luizën është një shifër që nuk do ta imagjinonin dot sportistët që shkonin ndërronin kombësinë, jo në ’91, por në 2012 dhe ngrinin flamuj të kombeve të tjera për të nxjerrë deri në fund potencialin e tyre, jo sepse janë tradhtarë, por sepse nuk mund dot të jetojnë nën peshën e tradhtisë së atyre që e kanë për detyrë t’i mbështesin. Nuk do ta imagjinonin dot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *