Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur qëndrim kritik ndaj deklaratës së Bashkimit Europian për situatën në veri të Kosovës. Ai kërkon që BE të dalë me një reagim të dytë, ku distancon Kosovën nga faji mbi situatën e krijuar dhe dënon Serbinë për qëndrimin e saj. Ai ritheksoi se shpallja e zisë kombëtare në Serbi, për vrasjen e terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës, është një akt i papranueshëm nga mbarë Europa.

 

“Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Europën dhe kemi kërkuar që Bashkimi Europian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”, tha ai.

 

Rama shtoi se do të linjëzohet me BE, vetëm nëse kritikohet qëndrimi i Serbisë, ndërsa dakordësohet me thirrjet për dialog.

 

“Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, shtoi ai.

Këto deklarata të Ramës vijnë përmes konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani. Edhe ky i fundit e dënoi aktin e terroristëve serbë në veri të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *