Kryeministri Edi Rama i ka shprehur mbështetjen kreut të Bashkisë Erion Veliaj për ndërtimin e  shkollës së integruar “Nënë Tereza në Kodër Kamëz.

 

Gjatë inspektimit në godinat 28 dhe 29 në QS ku ka përfunduar rikonstruksioni i tyre, Rama theksoi se ajo që është bërë për Universitetin Bujqësor të Tiranës është më shumë se ajo e bërë në 30 vite sëbashku.

 

 “Në këtë rast vlen të thuhet që ne kemi bërë për UBT më shumë seç është bërë në të gjitha vitet së bashku. Se aty e gjetëm një vend të pushtuar dhe të degraduar keq fare. Zaptimi dhe degradimi është rezultat i lidhjeve politike të natyrave të ndryshme”.

 

Kryeministri ndër të tjera në fjalën e tij nënvizoi se bllokimi nuk është zgjidhja e problemit, pasi nuk është as tregues i qytetarisë. Ai nënvizoi se është e papranueshme që të vendoset një ligjësi e re, që kush bërtet e kërcënon fiton.

 

“Është krejt normale mos të jemi dakord. Por cilësia e bashkëjetesës në çdo ambient, përcaktohet nga fakti sa shumë biem dakord, përcaktohet nga fakti sesi nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord dhe të vritesh, dhe të mos biesh dakord dhe të diskutosh dhe të debatosh me buon sens. Dhe kjo ideja, apo kjo moda që është në krijim e sipër por që ne nuk do ta lejojmë të marrë formën e një instrumenti legjitim që unë s’jam dakord, dhe unë hidhem përpjetë, dhe unë i zë rrugë, dhe unë i bllokoj, dhe unë i godas, është barbari, kjo nuk është qytetari. Edhe kjo që tha Erioni, është themelore për ne. Ne nuk mund të pranojmë që këtu të vendoset një ligjësi e re, kush bërtet më shumë, kush kërcënon më shumë, kush shkel më shumë pentagramin e komunikimit me njerëzit, ia del. Jo nuk ia del, dhe s’ka për t’ia dalë në asnjë nivel”.

 

Kryeministri Rama nënvizoi se “jemi zgjedhur të udhëheqim, jo t’i shkojmë prapa çdo njeriu që ke të drejtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *