Rama krah Ronaldos: Virusi mposhtet me metodën Sachi

Edi Rama pushtoi italianët në 2 minuta e 20 sekonda. Përmes një gjesti shumë fisnik, kryeministri shqiptar dërgoi 30 mjekë në Itali, siç i quante vetë Rama: “30 anëtarë të ushtrisë sonë të vogël me bluza të bardha”.
“Ne nuk jemi të pasur, por nuk jemi as me memorie te shkurtër, ju na mirëpritët dhe ne nuk e braktisim shokun tonë në vështirësi”, tha ai në fjalimin e shkurtër me të cilin përshëndeti mjekët që u nisën për në zonën më të prekur me koronavirus.
Me një sens shumë të mirë dhe një karakter eklektik, ai është sigurisht më shumë se një politikan, shkruan media italiane, “tuttosport”.
Basketbollist në rininë e tij dhe, në përgjithësi, i apasionuar pas sportit; piktor dhe mësues në Akademinë Shqiptare të Arteve; gazetar dhe eseist: Rama e filloi karrierën e tij politike në fillimin e viteve ‘90, kur ishte një nga themeluesit e lëvizjes për demokraci.
Nga viti 2000 deri në vitin 2011, Rama mbajti detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për tre mandate radhazi dhe, pas dy vjetësh si drejtues i opozitës, në 2013 ai u bë Kryeministër, një pozicion që ai e mban ende, së bashku me atë të Ministrit të Jashtëm. Ndërkohë, nuk e ka fshehur kurrë tifozllëkun për Juventus.
“Jam tifoz me Italinë dhe Juven”, shkruhet me gërma të mëdha në titullin hapës, ndërsa më poshtë është një pjesë nga fjalët e kryeministrit shqiptar. “Ne ndihemi pjesë e shtetit tuaj. Virusi mposhtet me metodën Sachi-t (ish-trajner i Milan). Të mëdhenjtë vendosen në shërbim të grupit. Ronaldo dhe Buffon janë njerëz që i admiroj sepse kanë një shpirt të madh”, shkruhet mes të tjerash në faqen e “Tuttosport”.




