Kryeministri Edi Rama kreu mbrëmjen e kësaj të mërkure komunikimin e fundit të dedikuar vetëm për pandeminë.

Me anë të një videomesazhi në “Facebook”, Rama deklaroi se kjo do të jetë java e fundit ku masat kufizuese do të jenë në fuqi.

Ai bëri më dije se pas kësaj jave, pra duke nisur nga 1 qershori, gjithçka do të kthehet si më parë. Përjashtim tha kreu i qeverisë, do të ketë për dasmat, funeralet, aktivitetet kulturore, plazhin dhe transportin publik.

“Rrezikun e infeksionit mos e përqeshni dhe as mos e neglizhoni sepse është reale dhe mund të bëhet vrastar. Unë lus Zotin përditë që të mos turpërohemi dhe të mos detyrohemi larg qoftë të mbyllemi, si rezultat i kokfortësisë së atyre që refuzojnë ta pranojnë se rreziku mund të hapet si vaji në lakra. Kjo fazë ku kemi hyrë është shumë delikate se mund ta harrojmë se virusi nuk ka ikur. Kjo është java e fundit e masave të mbetura kufizuese të lëvizjes. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive, dasmat e funeralet ku ende nuk do të mund të mblidhen qindra njerëz bashkë, transporti publik që do të rrijë mbyllur për pak dhe plazhet që do të ketë kornizë rregullash, gjithçka tjetër do të jetë e hapur si më parë. Ndërsa sjellja individuale nuk duhet të jetë më si më parë.”

Përtej hapjes, Edi Rama kërkoi nga qytetarët që të tregohen shumë të ndërgjegjshëm dhe të mos mendojnë se kjo do të thotë se virusi u largua. Ai sqaroi se nga ana tjetër, qeveria do të vijojë përgatitjet për të pritur një valë të dytë të koronavirusit, në rast se ka.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *