Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan për herë të parë këtë të premte Komitetin e Përbashkët Konsultativ Ekonomik dhe Social të BE, në mbështetje të integrimit europian të vendit tonë.
I pranishëm në takim, kryeministri Edi Rama e quajti unik këtë moment, ndërsa shprehu bindjen se vendi ka mundësinë që brenda këtij viti të hapë të gjitha grupkapitujt për negociatat.
Rama: Kështjella hap dyert dhe pastaj mbyll dyert. Dhe ka nga ata që janë më të shpejtë që kanë hyrë dhe e kanë gjetur brenda veten kur dera është mbyllur dhe ata që kanë mbetur jashtë. Ka shumë njerëz që sot përpiqen të thonë që nuk do të ndodhë dhe ajo çfarë po përpiqemi t’u themi që duhet të mobilizohemi, duhet të bëjmë më të mirën për t’i vënë të gjitha energjitë në këtë drejtim, është thjeshtë një iluzion thonë, apo është propagandë, po ku e di unë se çfarë sepse nuk ka ndodhur në 12 vjet, atëherë pse duhet të ndodhë në 4 vitet e ardhshme. Por sigurisht këta njerëz nuk janë shumë mirë të informuar që Mali i Zi i ka çelur negociatat që në 2012-ën, Serbia i ka çelur që në 2014-ën, Maqedonia e Veriut kishte një emër tjetër, kur u bën vend kandidat në 2005-ën dhe sot ne e gjejmë veten tonë në pararojë pasi çelem negociatat vitin e kaluar dhe këtë vit siç tha dhe zoti Ropke kemi një shans të mirë që të hapim të gjithë grup kapitujt.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, u ndal te rëndësia e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit, krahas qeverisë dhe kuvendit.
Gonzato: Proces që përfshin të gjithë shoqërinë. Nuk mund të lihet vetëm për shoqërinë dhe Kuvendit, por organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Këto vende do të duhet të përfshijnë shoqërinë civile në të gjithë punën që do të bëhet para se të bëhen pjesë e familjes tonë. Të ecësh përpara në BE kërkon angazhim politik, të qytetarëve dhe shoqërinë civile. Qeveria mund të përfitojë nga ekspertiza dhe njohuritë e shoqërisë civile. Shoqëritë civile të luajnë rol pro aktiv. Në kontekstin e anëtarësimit të BE, pjesëmarrja në vendimmarrje e shoqërisë civile është e rëndësishme.
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha gjatë fjalës së saj se Shqipëria është çdo ditë e më pranë në BE.
Dhuka: Shqipëria po përparon në mënyrë të qëndrueshme në anëtarësimin drejt BE, çdo ditë është një hap përpara. Shqipëria ka për synim që të dialogojë më ngushtësisht me institucionet e BE. Dhe kjo është ajo që po bëjmë sot.
Në këtë takim u mblodhën bashkëpërfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve dhe shoqërisë civile për të forcuar dialogun social dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së, si domosdoshmëri në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në BE./vizionplus.tv





