Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se investimet e huaja po dëmtojnë mjedisin. Duke iu referuar protestave për çështjen e Zvërnecit, kreu i qeverisë shpjegoi se sipërmarrjet e huaja fokusohen tek bashkëjetesa me mjedisin si çelës për ecurinë e projekteve.
“Ideja që kapitali i madh dhe që sipërmarrjet e mëdha shkojnë në vende të caktuara për të investuar në turizëm, për t’i shkatërruar ato vende dhe për të shfrytëzuar një krah pune të lirë, është një ide e lindur nga padija totale sepse është e kundërta. Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze ndërkombëtare të ketë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jetë shkaktarja kryesore e dëmeve që janë bërë mjedisit. E kundërta është e vërtetë!”, tha Rama.
Sipas Ramës, kundërshtimet për investimet e huaja në Shqipëri, sjellin dëme në turizmin cilësor.
“Të kundërshtosh rritjen e cilësisë së turizmit dhe mbi të gjitha të refuzosh kapitalin e huaj në industrinë e turizmit, do të thotë të refuzosh cilësinë, nuk do të thotë të refuzosh shkatërrimin”, u shpreh kryeministri.
Madje Rama ironozoi edhe protestat, pasi sipas tij, nuk ka ende një projekt konkret.
“Këtu po bëhet sikur po importohen plehra sepse është një qasje, e cila nuk niset nga faktet, nuk niset nga projekti, nuk niset nga studimi i mjedisit, por niset vetëm nga një frikë dhe njëkohësisht nga një ideologji. Një ideologji që nuk është kompatibel me zhvillimin”, tha Rama.
Në konferencën vjetore për arsimin profesional, Ministrja e Ekonimisë dhe Inovacionit Delina Ibrahiamaj, solli shembuj të markave ndërkombëtare që kanë sjellë histori suksesi në turizëm dhe rritje të cilësisë, mes tyre dhe Melia.
“Markat ndërkombëtare si Mariott, Hilton, Melisa etj kanë sjellë rritje të cilësisë dhe shtim të turizmit në vend”, tha Ibrahimaj.
Gjatë fjalës, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e talenteve të dala nga arsimi profesional, si faktor kyç në rritjen e cilësisë së shërbimeve.





