Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkelur Kushtetutën duke ndërhyrë në çështjet e bashkisë së Tiranës, pasi pushteti vendor është i pavarur. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha i bëri apel Avokatit të Popullit të hetojë të gjithë përplasjen që po ndodh sipas tij mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj.
“Unë i kërkoj me urgjencë Avokatit të Popullit të ndërmarrë një hetim të plotë mbi qëndrimet e Edi Ramës, Erion Veliajt, si personazhe kryesore në këtë puntatë të serialit Narcos. Çfarë ndodh, si mundet që një i burgosur të nxjerrë shkresa me firmë dhe vulë? Përveç të tjerash, ai zotimi i fundit, i djeshëm i tij është marrë pa praninë e avokatit. Avokati nuk është thirrur i pranishëm në takimin e bërë; nëse është bërë fare takimi me Erion Veliajn, ku mohon emërimin e Sara Goxhajt, atëherë ata të hetojnë se është absolutisht e ndaluar të takohesh me një të burgosur zyrtarisht pa praninë e avokatit. I çuan atij përpara një plumb në zarf, apo e droguan, apo çfarë i bënë, këto nuk i di unë asnjë. Por këto pikëpyetje po shtrohen mbarë kudo”, tha Berisha.
Sipas Berishës, bashkia e Tiranës mund të qeveriset vetëm nga Këshilli Bashkiak ose personi që mban të drejtën e firmës.
Ndërkaq, këshilltarët demokratë në bashkinë e Tiranës i janë drejtuar me një letër Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, ku akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po merr kompetencat e një pushteti të pavarur, siç është bashkia Tiranë./vizionplus.tv





