Rama: Jo interpelancë me Bardhin! Kryeministri hedh poshtë akuzat ndaj vëllait për dosjen “Xibraka”: Shpifje!
Edi Rama refuzon Gazmend Bardhin për interpelancë në parlament. Në përgjigjen e dhënë në platformën “X” kryeministri shkruan se kërkesa për interpelancë bëhet vetëm për çështje që lidhen me vendime dhe veprimtari të qeverisë e kreut të saj dhe jo mbi fantazi apo akuza të fabrikuara që ngrihen ndaj familjarëve të tyre.
“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”, shkruan Rama.
Pretendimet e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike se vëllai i tij, Olsi Rama është i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë, Edi Rama i quan gënjeshtra. Gazmend Bardhit i thotë se duhet të presë hetimet e SPAK si i paditur për shpifje nga Olsi Rama.
“Gazmend B duhet ta presë me durim edhe SPAK-un të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar, siç priti me shumë durim, për plot muaj, për ta prezantuar këtë zbulim të ububushëm, çka tregon se nuk jemi përpara asnjë urgjence të posaçme përveç turravrapit të një shërbëtori ambicioz për të fituar besimin e padronit të ri”, shkruan Rama.
Pasi i sjellë në vëmendje Gamend Bardhit se është fitues i 11 gjyqeve për shpifje dhe 10 të tjera janë në proces ndaj ish kryetarit të tij të vjetër Lulzim Basha dhe të riut Sali Berisha, Edi Rama bën me dije se i padituri i radhës në gjykatë për shpifje do të jetë vetë ai.
“Padia po bëhet gati të shkojë në gjykatë edhe për këtë B-në e B-së së B-së dhe për taksiratin e avokatëve të tij, të cilët do të duhet të marrin të tjera raporte mjekësore, e të japin e marrin me këmbë e me duar përpara gjykatës, për ta vonuar pa e shmangur dot në fund fare shpalljen e fajësisë së klientit të tyre para ligjit, për serinë e shpifjeve në adresën time si mbulues provash, korruptues prokurorësh dhe mbrojtës i një trafikanti droge brenda familjes, ndërkohë që sigurisht, kryesorja në këtë histori paturpësie publike, mbetet patjetër fjala e SPAK-ut lidhur me trafikantin e zbuluar prej këtij njeriu të mbetur në tentativë”, shkruan Rama.
Qëndrimin e tij ku kryeministri e quan një zbulim haluçinant përfshirjen e të vëllait të tij, Olsi Rama në laboratorin e Xibrakës, Edi Rama e mbyll me fjalët e Kur’an-it
“Kush shpif është edhe më i dënueshëm se sa vrasësi dhe i paralajmëron flakët e ferrit për shpifësit, më të tmerrshme se për çdo mëkatar tjetër. Sepse të godasësh tjetrin me fjalë të pavërteta është njësoj si të hash mishin e vëllait të vdekur”, shkruan Rama.
Arsyet e refuzimin të interperlancës në kuvend Edi Rama i komunikoi në “X”. Pas mbledhjes në selinë e PS-së me disa nga drejtuesit politik të qarqeve, ministrave dhe deputetëve anëtarë të komisionit të ekonomisë, kryesocialisti u largua pa asnjë deklaratë për mediat që po e prisnin aty.




