Rama ironizon rezolutën e PPE: U votua fletërrufeja e kënetës, pasi e dinë se do të humbin

Kryesocialisti Edi Rama ka komentuar sot gjatë një komunikimi online rezolutën e hartuar nga PD dhe miratuar nga kongresi i Partisë Popullore Europiane, ku shprehej shqetësimi për situatën politike në vend në prag të zgjedhjeve të 11 Majit.
“Ra dje boria në një mbledhje diku në Spanjë ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës që u ka mbetur këneta mes tyre dhe s’dinë as ato ça të bëjnë dhe këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe, siç ndodh nëpër konferencat e partive dhe aty filloi avazi. Filloi avazi mbledhje vote me lek dhe me kanabis, punësime elektorale dhe prokurorime favorizuese për mbështetësit e socialistëve, abuzime me detyrën dhe media, emërim ilegal i një kryetari të bashkisë, kërcënim dhe hetime kundra kandidatëve të opozitës. Domethënë, një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje, të përsëritura sa herë ka pasur humbje”, tha Rama.
Duke u ndalur te programi dhe projeksionet financiare të ‘Shqipëria 2030’, Rama ironizoi ofertën e opozitës.
“Këto që flasim ne për Shqipërinë 2030, nuk janë si programi i bufit dhe Latifit. Këto janë projeksione të mbështetura në analizat e ekspertëve të ministrisë së Financave dhe ndërkombëtare. Prej kohësh prej ne me mua punon kryekëshilltari ekonomik i kancelares gjermane. Për të përmendur dy nga të tjerë që ne i konsultojmë herë pas here. Këto janë projeksione financiare dhe jo përralla me mbret, as përralla me buf dhe latif”, u shpreh Rama.
Në mbyllje, Rama tha se të gjitha partitë e reja në garë nuk janë gjë tjetër veçse imitim i subjekteve të vjetra opozitare.




