Kryeministri Edi Rama ftoi sipërmarrësit turq të investojnë më shumë në Shqipëri, një vend që sipas tij po zhvillohet çdo ditë dhe ofron mundësi pafund.
“Shqipëria sot nuk është më ishulli i mbyllur që dikur e përshkruanin, por është një vend i hapur, një ishull mundësish, një ishull ku mund të shumëfishosh investimin tënd në pak vite me taksa fare të ulëta, me energji të gjelbër, një turizëm në rritje një teknologji që zhvillohet çdo ditë. Vetëm këtë vit 300 mijë turistë turq e zgjodhën Shqipërinë, kjo është e jashtëzakonshme po të mendosh se jo shumë vite më parë ata numëroheshin me gishtat e dorës. Oreksi vjen duke ngrënë, ndaj ejani të punojmë bashkë për suksesin, ta rrokim atë dhe ta shijojmë bashkërisht. Shqipëria është sot porta më e afërt e Turqisë drejt BE. Shqipëria është sot partneri më i qëndrueshëm në siguri, energji, turizëm dhe teknologji. Shqipëria ka sot një qeveri që është gati të mikpresë, të dëgjojë, ndihmojë dhe garantojë që çdo investim të kthehet në një histori suksesi”, tha Rama.
Gjatë forumit të investimeve Shqipëri-Turqi, zv.kryeministrja Belinda Balluku renditi lehtësitë fiskale që përfitojnë ata që zgjedhin vendin tonë për të bërë biznes.
“Në sektorin e IT-së apo prodhimit të software, Shqipëria aplikon 5% taksë mbi fitimin ose përjashtim 15-vjeçar nga taksa për bizneset e shtrira në parqe teknologjike apo ato shkencore. Në bujqësi dhe agroturizëm aplikohet 5% tatim të paktën deri në vitin 2029. Industria automotive përsëri 5% fitim deri në fund të 2029. Turizmi është një sektor ku me shumë përpjekje ne po ecim në hapat që Turqia ka hedhur 20 vite përpara nesh, duke tërhequr markat elitare dhe duke inkurajuar brandet dhe emrat më të mëdhenj të botës. Për të gjithë ata sipërmarrës që duan të replikojnë këtë histori suksesi, duke sjellë brande me katër apo pesë yje në Shqipëri, përjashtohen dhjetë vjet nga tatimi mbi fitimin dhe taksat vendore”, deklaroi Balluku.
Në këtë forum morën pjesë mbi 500 investitorë turq dhe u diskutua për mundësitë e investimit në 4 sektorë me potencial të lartë zhvillimi si ndërtimi, teknologjia e informacionit, turizmi e bujqësia.
/vizionplus.tv





