Subscribe

Gjatë fundjavës, kryeministri Edi Rama ka parë nga afër ecurinë e investimeve të ndryshme të qeverisë. Në Sarandë, ai është ndalur në riorganizimin urban të një kompleksi muzeal dhe turistik që lidhet përmes Rrugës së Flamurit, me shëtitoren bregdetare. Projekti rreth 103 milionë lekë përfshin edhe restaurimin tërësor të hapësirës prej 6 mijë metra katrorë.

 

“Kjo hapësirë ishte një tmerr. Tani transformohet në një rrugë qytetare, turistike me gurë dhe lidhet me pjesën poshtë të shëtitores, e cila edhe ajo ka nevojë për ca ndërhyrje, sepse edhe kur është bërë, është bërë shkel e shko. I gjithë ky kompleks futet në një tjetër cilësi dhe i jep shumë më tepër dinamizëm qytetit, sidomos në periudhën e turizmit.”

 

Kreu i qeverisë ka inspektuar dhe investimet që OSHEE po kryen në Himarë, Dhërmi dhe Orikum. Ato pritet t’i japin zgjidhje problemeve të shumta të furnizimit me energji për këto zona, shumë të frekuentuara nga turistët gjatë sezonit veror.

 

“Të gjitha këto kapërcime epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që po kthehen në investime. Të gjitha këto investime do të garantojnë shërbimin cilësor me energji elektrike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ripërtëritjen e një rrjeti që në 85 % të tij është i moshës së elektrifikimit.”

 

Po ashtu, kryeministri Rama inspektoi edhe ecurinë e punimeve për rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, e njohur si Lungomare. Punimet vazhdojnë me intensitet për riorganizimin e plotë të shëtitores, sheshet dhe hapësirat publike, platformës sportive, përmirësimin dhe rehabilitimin e rrugës së bregut dhe parkimeve.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *