Subscribe

Pasi përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi, Kryeministri Edi Rama u deklarua i vendosur për të çuar deri në fund shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Vendimin e bëri të qartë në mbledhjen e parë me deputetët e zgjedhur dhe me ata që nuk do t’i përkasin më skuadrës së socialistëve në parlamentin e ardhshëm.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ilir Meta do të shkarkohet nga detyra, si një personifikim i antishtetit, i ndëshkuar nga populli shqiptar në 25 Prill. Shkarkimi i Ilir Metës nuk është i gjithi në dorën tonë, këtë e dimë, po ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta çminuar institucionin e presidentit të republikës, duke votuar në bllok shkarkimin e tij.

 

Pavarësisht ecurisë së procesit për shkarkimin e kreut të shtetit, pasi do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të japë verdiktin final, ftesa e parë për bashkëpunim me Partinë Demokratike është zgjedhja e pasardhësit të Ilir Metës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Është shumë herët për të folur për zëvendësimin dhe zëvendësuesin e tij, por në çdo rast qoftë para kohe qoftë në kohë në varësi si do të shkojë ky proces ne do të konsultohemi me PD për emrin e presidentit të ri.

 

Të tijëve, kreu i qeverisë i kërkoi të qëndrojnë indiferentë ndaj politikës së vjetër të përbaltjes. Bashkëpunimin me Partinë Demokratike vazhdon të qëndrojë në agjendën e Edi Ramës përgjatë mandatit të tretë qeverisës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ne nuk kemi marrë një mandat për të luftuar me Partinë Demokratike. Sado që të na sulmojnë apo sado ta kontestojnë legjimitetin e fitores tonë nga mosnjohja e humbjes së tyre të qartë dhe të  thellë. Natyrisht ne nuk do ta presim PD sa të rikthejë kontaktin me realitetin, por në do të jemi gati që të bashkëpunojmë më demokratët, ne do ta mbajmë të shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën dhe nuk do të lejmë rast pa ua treguar me fjalë dhe me vepra që kjo është dekada për ta ngjitur lart Shqipërinë.

 

Pas rezultatit që prodhoi vota e 25 Prillit e veçanërisht vota preferenciale, Partia Socialiste tha Edi Rama do të futet në një proces analize, duke nënkuptuar ndryshime të mundshme të kodit zgjedhor.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Nuk kanë asnjë rëndësi votat individuale që gjithë secili ka marrë. Gara e brendshme në listat e hapura ka sjellë patjetër të mirat e saj po ka sjellë edhe disa dëme anësorë qe duhen analizuar me kujdes për të nxjerrë mësimet e duhura për këtë sistem për ndeshjen tjetër pas katër vitesh.

 

Në 30 vjetorin e krijimit të partisë, në 12 Qershor, kryesocialisti paralajmëroi mbajtjen e jashtëzakonshme të kongresit, me vëmendjen te përgatitja e fitores së zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe me pas ato parlamentare të 2025-ës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Kongresi i jashtëzakonshëm do të zgjedhë Asamblenë e re Kombëtare, ku do të hyjnë më të dalluarit në ndeshjen që sapo kemi fituar. Kush nuk e ka arritur objektivin që nga niveli i drejtimit të organizatës e deri te niveli më i lartë organizativ duhet tja lërë vendin dikujt tjetër, edhe nga ana tjetër kush nuk ia ka zbardhur faqen kësaj shumice në nivelet ekzekutive në të gjithë territorin duhet gjithashtu tja lerë vendin dikujt tjetër. Gati për të nisur qysh tani fitoren e ardhshme, ato në zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme në 2025.

 

Nga skuadra fituese e parlamentareve të Prillit kërkoi angazhim për të përjetësuar të gjitha premtimet e Partisë Socialiste përgjatë mandatit të tretë qeverisës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *