Kryeministri Edi Rama ju përgjigj presidentit Ilir Meta, pas denoncimit të një biznesmeni që ky i fundit bëri publik të shtunën për patronazhistët.

 

Pronari i një agjencie turistike publikoi bisedat me drejtuesin e DPSHTRR, Blendi Gonxhen dhe u ankua se i janë hapur problemet biznesit për shkak të bindjeve të tij politike.

 

Rama tha nga Njësia 5 në Tiranë se do të donte që komunikimi i të gjithëve të ishte si i Blendi Gonxhes. Për patronazhistët, kryesocialisti u shpreh krenar.

 

“Nxori dje një dordolec, si një viktimë të survejimit dhe tregoi me demek faktet. Faktet ishin ato që mua më bëjnë krenarë që ne kemi drejtues si Blendi Gonxhja, që nuk bëjnë sikur nuk shohin e nuk dëgjojnë, kur ju vjen një mesazh me një shqetësim nga dikush. Ai është komunikimi që unë kam kërkuar dhe kërkoj çdo ditë nga drejtuesit e institucioneve, përgjegjësit e të gjithë zyrave. Ah sikur të ishin të gjithë ashtu! Ajo që Ilir Meta nuk tregoi nga ai komunikim, ishte videoja ku na del se vëllai i Monikës paska patur një vend pëllumbash, ku çdo ditë i binin në dorë vezë floriri, me paga që edhe vetë kontrollorët do i kishin tronditur. Le t’i çojnë tek organet e hetimit ato usb. Pse nuk i çojnë? Unë e di pse nuk i çojnë. Të gjithë ato të dhëna që dalin rrugëve, janë të gatuara tjetërkund, këtë e di çdo patronazhist i PS. Unë e pohoj me krenarinë më të madhe që kjo parti nuk do të ishte kjo që është sot pa patronazhistët. Janë rrjeti i shtrirë në të gjithë territorin, që jep e merr me qytetarë e banorë, që troket derë më derë dhe shënon aty perceptimin për kahjen e njërit e të tjetrit. Shënon aty hallet dhe problemet që kanë, jam shumë krenar për patronazhistët e PS, për të gjithë ata që na ndihmojnë që të dimë se çfarë halli ka njëri, çfarë halli ka tjetri.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *