Lideri i opozitës Sali Berisha është kthyer sot në vendlindjen e tij në Tropojë për të zhvilluar takimin e radhës elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Përpara tropojanëve, Berisha akuzoi Ramën se në 12 vite qeverisje ka patur shumë pak investime.
“Kukësi, Hasi, Puka, Tropoja, Vau i Dejës, kanë marrë në 12 vite më pak, se sa ka vjedhur motra e Tërmet Peçit paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në zona të tjera në jug, ai ka dërguar qindra e qindra milionë. Mos mendoni ju se përfituan banorët e jugut. Absolutisht, jo.”
Berisha u ndal te vendimi i shpalljes së tij non grata, duke bërë një paralajmërim të fortë.
“Tani, dy fjalë do u them unë ju këtu. Ai që firmosi me lobimin e Sorosit dhe të Edi Ramës, ai bëri dy gabime të mëdha. E para gaboi, sepse ne shqiptarët, e kemi në kod dhe gene adhurimin për mikun, po e kemi dhe një fjalë: Zot, na ruaj nga miku, se nga armiku ruhem vet! Ai e bëri këtë gabim të madh. Mirëpo sot, ku është ky njeri? Sot, ky është në koshin e plehrave të historisë të vendit të tij. I padëshiruar në të gjitha ndërtesat federative të SHBA-ve. I shpallur nga presidenti Donald Trump. Edi Rama, të jap fjalën se do përfundosh më keq se ai.”
Për kreun e PD-së, çdo votë e dërguar për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën është tradhëti ndaj vendit.
/vizionplus.tv





