Rama i ashpër me gjyqtarët: E kthyen drejtësinë në mall, janë më fajtor se politikanët
Kryeministri Edi Rama i ka quajtur gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar një “kastë që e kthyen drejtësinë në një mall që shitet dhe blihet”. Nëse nuk do abuzonin, sipas tij, politikanët do të tregoheshin të përmbajtur dhe të përgjegjshëm.
Duke iu referuar rastit të gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxhës, e cila u arrestua nga SPAK për korrupsion, shefi i qeverisë tha se nëse nuk do të mungonte drejtësia, nuk do regjistroheshin raste të tilla ekstreme.
“Nëse kjo kastë nuk do ta kishte mbytur drejtësinë dhe ta kthente atë në një mall që blihet e shitet, edhe politikanët do të kishin qenë shumë më të përmbajtur e të përgjegjshëm. Mungesa e një drejtësie që mban të palëkundur gurin themeltar, ka bërë që ne të vuajmë shumë në të gjitha aspektet dhe pasojat të jenë te më të dobëtit. Jemi të gjithë dëshmitarë se sa shumë burra të denoncuar për dhunë janë liruar nga gjykatat dhe janë fajësuar gratë. Ose në shumë raste dhunuesit pasi janë dhunuar, kanë ridhunuar. Procesi i pastrimit të llumit nga sistemi i drejtësisë është jo i lehtë. Ata që kërkojnë me të drejtë shtet të së drejtës duhet të vetëdijësohen se nuk është një proces që mund të mbyllet në 1 apo 2 mandate, është e pamundur. Ne sot nuk do të kishim një gjykatës si ajo gjykatësja e papërshkueshme, se unë nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar, që ditën me diell, në kundërshtim me ligjin, jep vendime lirimi për individë që kanë pasur dënime ekstreme dhe aspekti tjetër është si do të rrisim ne paralelisht me drejtësinë dhe mundësitë tona ekonomike duke rritur investime publike dhe investimet private dhe ato të huaja. Në mandatin e tretë ne do të finalizojmë disa procese të nisura prej vitesh që kërkojnë kohën e tyre. Ne po punojmë nga të katër anët dhe mendjen se po e bëjmë për fushatë. Nuk është e vërtetë pasi punët që bëjmë sot kanë nisur prej kohësh me ideimin, garën kontrata dhe nuk nis vetëm kur shikon eskalatorin në rrugë”, tha Rama




