Kryeministri Edi Rama iu rikthye pas zgjedhjeve komunikimit me qytetarët në rrjetet sociale dhe lajmëroi se brenda pak javësh do të hapen negociatat për të gjithë kapitujt që nevojiten për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Një ditë pasi Presidenca Polake e Këshillit të Bashkimit Evropian i dërgoi qeverisë letrën për çeljen e bisedimeve për grupkapitullin numër 4, lideri i mazhorancës deklaroi se procesi i hapjes së kapitujve është në rrugën e mbarë.
“Kemi lajme të mira nga fronti i negociatave, urojmë dhe shpresojmë dhe besojmë së shpejti do të marrim lajmin e hapjes së një tjetri grupkapitujsh dhe sipas ambicies dhe planit, të hapim pastaj edhe grupkapitullin e fundit, në mënyrë që të kemi të gjithë grupkapitujt e hapur.”
Kryeministri deklaroi se tashmë ka nisur puna për samitin e NATO-s që do të mbahet për herë të parë në Tiranë.
“Kjo është mënyra se si të punohet për samite të NATO-s, fillon puna dy vjet përpara dhe faktikisht pasi ka ardhur grupi i inspektimit nga qendra e NATO-s në Bruksel për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës së mikpritjes, të logjistikës, e kështu me radhë. Topi është në fushën tonë për të shkuar përsëri në qendër me një masterplan të përgjithshëm të organizimit.”
Një tjetër projekt i qeverisë shqiptare ka lidhje me futbollin.
“Në ndërkohë, jemi në një diskutim më së fundmi për të sjellë në Tiranë, në Shqipëri 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar edhe Durrësin dhe Vlorën si opsione, edicionin evropian të Globe Soccer Awards, pra, të çmimit të globit të futbollit.”