Subscribe

Pas vitesh punë për ta risjellë në gjendjen autentike, shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe Ismail Kadare, tashmë është rikonstruktuar. Me statusin e Monumentit të Kulturës, shtëpia në lagjen “Palorto”, vjen në 80 vjetorin e lindjes së Kadaresë, e restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, të pranishëm në ceremoni, theksuan rëndësinë e këtij investimi. Por, për kreun e qeverisë, kjo është vetëm faza fillestare, pasi do të punohet që shtëpia të pajiset me veprat e Kadaresë, dorëshkrime dhe sendet e tij personale.

Edi Rama:

Unë kam folur edhe me Helenën, që është gjysma më e mirë e Ismailit, për të shtuar edhe një bibliotekë me librat e shkrimtarëve të dashur për Ismailin, në mënyrë që shtëpia të mos jetë thjeshtë një muze, por të jetë një mjedis i gjallë, që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz, jo vetëm për ta vizuar, por edhe për të studiuar e lexuar. Pra edhe një bibliotekë unikale në Shqipëri dhe mbase jo vetëm në Shqipëri, por për të gjithë dashamirësit e letërsisë. Jam i bindur se do ta realizojmë me sukses edhe këtë fazë. Ministrja dhe kryetarja e bashkisë e ka nisur punën me një arkitekte të njohur.

Kryetari i Kuvendit Meta, e vlerësoi shtëpinë e Kadaresë, një institucion të rëndësishëm kulturor, që do t’i japë Gjirokastrës një tjetër dimension.

Ilir Meta:

Dua të falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës, qeverinë dhe bashkinë e Gjirokastrës për këtë përkushtim që kanë treguar dhe që më në fund kanë sjellë një institucion kaq të rëndësishëm kulturor që nuk është vetëm gjirokastrit, nuk është vetëm shqiptar, por është europian, ndërkombëtar dhe që do t’i japë një tjetër dimension tjetër edhe qytetit të Gjirokastrës. Padyshim përsa i takon kësaj dite të rëndësishme, këtij momenti të rëndësishëm, të gjithë ndihemi krenarë për arsyen sepse Kadare përfaqëson kulturën e kombit tonë, identitetin e tij evropian.

Shtëpia e lindjes e shkrimtarit Ismail Kadare, u dogj aksidentalisht në vitin 2000. Nga trajtimi arkitektonik, banesa është cilësuar si një ndër më të arrirat dhe në pozicionin më dominues, përkrah edhe mjaft objekteve të tjera me vlerë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *