Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar fushatën elektorale për vendoret e 14 Majit si fushata me më pak shpenzime, ku janë evituar shpenzimet me postera e flamuj.
Në emisionin Spotlight me Alban Dudushin, Rama theksoi se shpenzimet janë shkurtuar e zëvendësuar me mbjellje pemësh.
“Ne kemi thënë qysh në fillim do bëjmë një fushatë me shumë më pak shpenzime, pa mjete të rënda propagande, pa logjistikë të rëndë, pa tribuna, pa ekrane që kushtojnë shumë, pa postera nëpër mure, pa flamuj nëpër shtylla… E vërteta është që kemi shkurtuar shpenzimet aq shumë saqë do të mbjellim deri në fund të kësaj fushate, mbi 25 mijë pemë. ”
Lidhur me rezultatin që pret përpara opozitës, kryesocialisti thekson se e ka kryer detyrën e tij duke e mundur kundërshtarin në çdo zgjedhje. Sipas Ramës, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në vendoret e 14 majit.
“Unë kam bërë vetëm detyrën. Opozitën shqiptare e kam mundur sa herë e kam pasur përballë. Pastaj, arsyet pse opozita shqiptare, është katandisur në këtë derexhe le t’i gjejnë vetë arsyet, unë i kam thënë qysh në 2013-ën. Nëse ju do të mohoni realitetin, nëse ju nuk do të lexoni si duhet humbjen. Nëse ju nuk do të kuptoni që juve ju mund populli, nuk ju mundin kriminelët, juve do të humbni, do të humbni dhe vetëm do të humbni!”
Rama theksoi se Meta e Berisha i përkasin së shkuarës politike të vendit.