Rama e ftoi për bashkëpunim, Basha i përgjigjet prerazi nga Durrësi

Kryedemokrati Lulzim Basha, ishte këtë të martë në Durrës, ku këmbënguli se PD nuk do ta njohë kurrë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Ai theksoi se opozita nuk do ta ndalë në asnjë moment punën e tij dhe se do të sjellë ndryshimin për të cilin vendi ka nevojë.
Sa i përket ftesës së Ramës për bashkëpunim, lideri demokrat pohoi se PD nuk e njeh si opsion “bashkëpunimin me krimin”, duke sjellë në vëmendje manipulimin e votës.
“Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të ardhëm e tyre e ka gabim. Ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë. Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën e tyre. Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë. Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero.”




