Subscribe

Kryeministri Edi Rama prej kohësh ka theksuar se në mandatin e dytë qeverisës, prioritet do të jenë reformat bazuar në kërkesat e qytetarëve. E nisur nga ky fakt, kreu i qeverisë përmes Facebook-ut, ka renditur 10 çështjet kryesore që shqiptarët duan të zgjidhen, duke nisur nga drejtësia, administrata, arsimi, bujqësia, shëndetësia e punësimi. Të gjitha të përmbledhura në një raport të veçantë nga Grupi i Punës për mekanizmat e Bashkëqeverisjes me Njerëzit, pas leximit dhe kategorizimit në dosje të veçanta të të gjithë komenteve të ndjekësve në rrjetin social.

 

 “DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM janë 3 çështjet më të përmendura duke shënuar edhe diferencë të konsiderueshme me të tjerat. Të përmendura mbi 4900 herë ato qëndrojnë në krye të listës duke bashkuar shumicën e komentuesve si fushat prioritare për katër vitet në vijim. Nëse do të përzgjidhnim 5 çështje kyçe, ato do të ishin: DREJTËSI-ADMINISTRATË-ARSIM -BUJQËSI-SHËNDETËSI, të sugjeruara 5237 herë. 10 çështjet kryesuese të sugjeruara rreth 10 mijë herë në 6 mijë komente janë: DREJTËSI, ADMINISTRATË, ARSIM, BUJQËSI, SHËNDETËSI, PUNËSIM, RILINDJE URBANE, SHTET, EKONOMI, TURIZËM”

 

Në detaje, Rama komenton sipas intensitetit të komenteve reformat, të cilat qytetarët konsiderojnë parësore.

 

“Komentuesit inkurajojnë dhe kërkojnë të ecet shpejt me reformën në drejtësi si një premisë kyçe që shtron rrugën për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, që nga lufta kundër korrupsionit tek rritja e investimeve të huaja; zgjidhja e problemeve me pronat; lufta ndaj pabarazisë apo kundër abuzimeve të çdo niveli. Kërkojnë reformimin e thellë të administratës duke e ulur pritshmërinë edhe deri tek mirësjellja dhe ofrimi i informacionit të saktë. Komentuesit besojnë fort se gjithçka nis me arsimin, duke u fokusuar më shumë tek cilësia e mësimdhënies, aftësitë e mësuesve dhe mënyra e punësimit të tyre. Komentues besojnë se duhet investuar fort në bujqësi, që nga mbështetja e fermerëve për të prodhuar e deri tek infrastruktura e lidhjes së fshatrave me qytetet e tregjet apo rilindjen urbane që duhet të shkojë në çdo fshat. Komentuesit kërkojnë të shihet me prioritet shëndetësia, duke vënë në qendër të shqetësimeve të tyre mjekët e korruptuar apo mungesën e ilaçeve dhe shërbimeve”

 

Po ashtu, shefi i ekzekutivit, shkruan se prioritet vlerësohet hapja e vendeve të reja të punës përmes rritjes së investimeve të huaja, ndërhyrjeve në arsim për një formim më të përshtatshëm me tregun, mbështetjen e biznesit duke ulur taksat. Qytetarët vlerësojnë të rëndësishme vijimi i projektit për Rilindjen urbane. Komentuesit kërkojnë vijimin e forcimit të shtetit në kuptimin e zbatimit të ligjeve, rregullave, kontrollit Sugjerohet të punohet më fort për rritjen ekonomike duke ndërhyre që nga ulja drastike e taksave e deri tek shtetëzimi i ndërmarrjeve dikur shtetërore për një shfrytëzim më të mirë të pasurive natyrore kombëtare. Për ta mbyllur me besimin e qytetarëve se turizmi duhet konsiderohet prioritet kryesor në 4 vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *