Subscribe

I pakënaqur nga raportet e publikuara nga dhomat e huaja të tregtisë, te cilave së fundi iu shtua edhe ajo amerikane, kryeministri në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i kujtoi bizneseve se çfarë kanë vuajtur ata në të shkuarën. Edi Rama tha se më parë sipërmarrësit paguanin ryshfet në tatime, nuk merrnin dot rimbursimin e TVSH-së e për më tepër nuk paguheshin për punët që bënin, prandaj për të një gjë është e sigurte: Klima e biznesit, nuk është përkeqësuar.
Në këtë takim, Rama bëri edhe denoncime konkrete të bizneseve sipas tij që kërcënojnë qeverinë se nuk duan të paguajnë taksat, nën flamurin e mbrojtjes së ambasadave. Duke prezantuar paketën fiskale, Rama tha se e ka derën hapur për çdo biznes që ka qoftë edhe problemin më të vogël me administratën, por që të gjithë të jenë deri në fund të kënaqur, duhet më parë të miratohet reforma në drejtësi. Kryeministri nuk foli për një kërkesë të cilën sipërmarrja e ka përmendur pafund gjatë dy viteve të fundit: uljen e taksave. Një derë të hapur për këtë opsion e ka lënë Ministri i Financave Arben Ahmetaj. Në korrik, kuvendi do të shqyrtojë paketën e re fiskale e cila thjeshton 40 procedura, që nga çregjistrimi që bëhet për 10 ditë e deri te kontrollet tatimore të cilat nuk do të jenë më të befta. Qeveria është tërhequr edhe nga gjobat e larta për kasat fiskale, dhe në vend të parave, biznesi që nuk lëshon kupon mbyllet për 15 ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *