Rama bisedë me ndjekësit në “SY m’SY”: O e fus unë Shqipërinë në BE, o kjo punë mund të mos bëhet kushedi sa vite të tjera
Kryeministri Edi Rama ka theksuar gjatë një komunikimi live me ndjekësit në Facebook se vetëm Partia Socialiste mund ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se në rastin tjetër, do të duhen shumë vite për të arritur këtë objektiv.
Rama përmendi Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat kanë nisur negociatat me BE-në vite më parë, duke vënë në dukje se Shqipëria ka përparuar në këtë proces. Ai theksoi se Mali i Zi ka nisur negociatat në vitin 2012 dhe Serbia në 2014, ndërsa Shqipëria ka nisur negociatat vetëm vitin e kaluar.
Kryeministri theksoi se procesi i integrimit në BE është një test për shtetin, ku Shqipëria është angazhuar të krijojë institucione të besueshme dhe të përmbushë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ai e cilësoi këtë proces si një mundësi të madhe për të siguruar të ardhmen e popullit shqiptar dhe për të siguruar një vend të denjë brenda Bashkimit Evropian.
“Së pari më shumë sesa një fitore për mua personalisht që në fund të ditës, fitoret e mia po qe puna për t’i provuar vetes diçka i kam bërë dhe tejkaluar më shumë sesa një fitore për PS, partinë time që kam nderin të udhëheq, kjo është një fitore për të gjithë dhe për ty personalisht, hyrja në BE. Ti më thua mua që kohë e gjatë. E di kur i ka filluar negociatat Mali i Zi, në vitin 2012. Ne i kemi filluar vjet. E di kur i ka filluar Serbia, në 2014. E di ti se ku gjendet sot Serbia dhe ku gjendemi ne në procesin e negociatave. Ne jemi përpara. E di kur është bërë RMV kandidate për BE, në 2005. E di që RMV s’i ka hapur akoma negociatat, çfarë flisni? Si e dini ju hyrjen në BE? E di se çfarë është të negociosh me BE? Të kesh institucione të besueshme, disa standarte bazë si BE dhe ne po e bëjmë këtë do apo nuk do ti. Ne po bëjmë shtet sepse pikërisht negociatat dhe hyrja në BE janë testi dhe provimi i shtetit. Ky shtet. Janë 27 shtete anëtare, ky shteti tjetër që do të bashkohet me ne i ka parametrat që të jetë pjesë e kësaj krushqie? Kur ata të fusin brenda dhe thonë je njësoj si ne, populli yt do të vijë te ne, populli ynë do të vijë te ty dhe të gjithë duhet të ndihen të mbrojtur, si thua ti? Janë lojëra këto. Çfarë janë këto muhabete? Jo që nuk jemi të paaftë, po përkundrazi o e fus unë dhe BE Shqipërinë në BE ose kjo punë mund të mos bëhet kushedi sa vjet të tjera. Kur ne morëm detyrën nuk na hidhte njeri sytë.“, tha kryeministri.




