Subscribe

Kryeministri, Edi Rama, ka përsëritur kërkesat e tij ndaj Bashkimit Europian për më shumë vëmendje dhe investime në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën e tij gjatë ministerialit euro-ballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja që po mbahet në Tiranë, Rama theksoi se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa ka nevojë Ballkani për të.

 

“Ne shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje më të fortë dhe janë më sy hapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për BE. Besoj se nuk e teproj nëse them se BE ka nevojë për Ballkanin perëndimor po aq sa Ballkani ka nevojë për BE. Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE që të diskutojmë rreth temave më thelbqësore të këtij procesi që përfshin forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjen me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE. Do të duhet të diskutoj për diçka krejt të re, që edhe njëherë 5 vjet më parë, ishte e papërfytyrueshme. Planin e ardhshëm të BE për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë BE ndërkohë që për procesin e integrimit çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë”, tha ai.

 

Rama kërkoi që BE të kalojë nga premtimet në vepra, pasi sipas tij e vetmja formë për të tejkaluar mosdakordësitë në rajon, është bashkëpunimi.

 

“Nga fjalët premtuese, duhet të nisim të shohim vepra premtuese. Mund të mos biem dakord për shumë gjëra në rajon, mund të jemi ende çështje të rëndësishme të pambyllura në këtë rajon por përmes këtij procesi kemi mësuar se e vetmja mënyrë për t’u marrë është të përpiqemi të biem sa më shumë dakord dhe të bëjmë sa më shumë së bashku, dhe së më shumë kemi bërë gjëra së bashku, aq më shumë kemi parë përfitime.“, theksoi Rama.

 

Ministeriali i ministrave të Ekonomisë zhvillohet në Tiranë, në kuadër të procesit të Berlinit, ky zyrtarët e lartë të rajonit e jo vetëm mblidhen në kryeqytet për të diskutuar ecurinë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *