Rama: BE, e vetmja rrugë për ne, jemi të verbër përsa i takon besnikërisë ndaj Unionit
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi Forumin Strategjik të Bledit për të vënë në dukje se besnikëria e Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian nuk mund të vihet kurrë në dyshim. Kryeministri, i cili jo rrallë ka shprehur kritika për Brukselin, deklaroi se përtej deklaratave, BE është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe ndaj politika e jashtme e Tiranës zyrtare është 100% e linjëzuar me Brukselin.
“Besnikëria jonë nuk është kurrë në dyshim dhe kemi një ide të qartë të madhësisë sonë, të peshës sonë e po kështu edhe të sfidave tona. Si evropianë duam të jemi të lirë e të shprehim lirisht atë çfarë mendojmë, por kur vjen puna që të ndjekim Evropën, ne jemi ndjekës vërtet besnikë dhe, meqë ra fjala, politika jonë e jashtme është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së prej shumë kohe. Ne as nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim, sepse kur vjen fjala për besnikërinë, jemi disi të verbër dhe kur themi ‘jemi me ty’, jemi me ty deri në fund.”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi se ambicia e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE mbështetet edhe nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
“Marta do që ta bëjë këtë, por le të shpresojmë që të tjerët të bien dakord me Martën kur të vijë momenti – dhe kjo nuk është dhe kaq e dukshme, sepse në fund të fundit, Evropa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, meqë ra fjala, që e bën edhe më të ndërlikuar që të trajtojnë problemet që mund të ketë çdo organ.”
/vizionplus.tv




