E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

S’ka tym të bardhë nga bisedimet Rama-Basha në Presidencë

3 orë kanë zgjatur negociatat e vështira mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha në Presidencë.

 

I përpiktë në orar, i pari që ka mbërritur në takimin e thirrur nga Presidenti i Republikës, ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi.

 

Reklamë

7 minuta më vonë mbërriti edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, në shoqërinë e kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.

 

Kamerat u lejuan vetëm në momentet e para të takimit për të marrë disa pamje. Reagimi i kryeministrit tregoi se bisedimet, nuk do të ishin të lehta.

 

Gjatë takimit palët kanë parashtruar pretendimet përkatëse, të cilat sipas tyre do të mundësonin kapërcimin e krizës politike. Fakt i cili bëhet i ditur edhe nga Zyra e Presidentit të Republikës, sipas të cilit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj.

 

Megjithatë, thuhet se kreu i shtetit vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi.

 

Lulzim Basha ka ripërsëritur qëndrimin për largimin e Edi Ramës nga posti i kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, pasi sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Por nga ana e tij, shefi i qeverisë ka theksuar se nuk mund të pranojë kërkesën për largimin nga drejtimi i ekzekutivit, pasi nuk mund të shkelë mbi një të drejtë dhe detyrim kushtetues. Burimet bëjnë me dije se Rama është shprehur se ai është i gatshëm të diskutojë mbi platformën e ofruar nga negociatorët ndërkombëtarë, në takimin e 25 Prillit, që përfshijnë zëvendësimin me emra teknikë të katër ministrave, rishikimin e Kodit Zgjedhor, ofrimin e drejtimit të KQZ-së dhe ndryshimet në drejtimin e drejtuesve të policisë në qarqe.

 

Gjithçka, sipas Ramës ën respekt të Kushtetutës. Por kryeministri nënvizoi kushtin se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të votojë Vettingun.

 

Takimi është karakterizuar nga shkëmbime propozimesh të përafërta, edhe pse nuk dihet zyrtarisht se çfarë synojnë ato.

 

Pas 3 orë negociatash, takimi u mbyll pa asnjë marrëveshje mes palëve. Kryeministri Rama ka dalë nga Presidenca rreth orës 13.10. rreth 50 minuat më pas është larguar edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Ndërkohë, pas orës 14.00 kreu u grupit parlamentar Gramoz Ruçi është takuar me Presidentin e Zgjedhur Ilir Meta, në ambientet e një prej hoteleve pranë Kryeministrisë.

 

Pavarësisht mungesës së një pakti politik, mësohet se palët vijojnë kontaktet në distancë për të gjetur emëruesin e përbashkët, fundi i të cilit do të ishte një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës politike.

 

 

Më shumë video

Reklamë