Kryeministri Edi Rama ripërseriti qëndrimin e tij se studentët që diplomohen në Mjekësi nuk do të marrin diplomën në duar fizikisht pa bërë 3 vite punë në spitalet tona.

 

Kreu i qeverisë shtoi se të sapodiplomuarit gjatë këtyre tre viteve do të paguhen.

 

“Ne nuk do financojmë më studime jashtë por do financojmë UFO-t këtu, pra, ata si ju apo të tjerë, kuptohet më të gjitha ato kritere dhe do bëjmë një financim të konsiderueshëm duke mos dhënë një bursë por një pagë, një pagë minimale natyrisht, por një pagë, për çdo student që është i këtij niveli.

 

Sigurisht që, tek mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë mes 200 dhe 400, në varësi se nuk i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi dhe duke parë dhe mesataren sesi ka qenë, midis 200 dhe 400 ne do japim një pagë për çdonjërin por ama askush që do hyjë në këtë sistem nuk do ta marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu dhe pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë, pa problem.

 

Jo vetëm kaq, por ne po punojmë që sistemi të funksionojë kështu për lëndët prioritare edhe për të tjerët sepse nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd, edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, në rast se të qëllon që të punosh në kushte të vështira se ka gjithmonë e më shumë kushte të mira për të punuar në një pjesë gjithmonë e më të madhe të sistemeve, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënd nëse shkon jashtë, në vend se të ikësh direkt sa ke mbaruar shkollën për të kërkuar atje të punosh në profesion, theksoi kreu i qeverisë.

 

Deklaratat, kryeministri Rama i bëri gjatë një takimi me nxenës që kanë përfunduar gjimnazin me “medalje të artë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *