Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS gjatë takimit me shqiptarët e Italisë në Milano, ka bërë batuta sa i përket fushatës politike e cila do të zgjasë deri në 9 maj.
Gjatë fjalës së tij Rama duke qeshur ju tha që të bëjnë kujdes pasi përveç fjalimeve në televizor apo LIVE, mund të rastisë që ndonjë ditë tu dalë dhe nga frigoriferi, ndërsa ju bëri thirrje të tregojnë kujdes se ku e hedhin votën.
Ai tha që askush nuk duhet të sillet keq me votën, duke e hedhur në postë për kënetën në Shqipëri.
“Jam i bindur që juve më ndiqni dhe më keni si robt e shtëpisë. Edje këto ditë deri në 11 maj bëni kujdes, se mos ju dal edhe në frigorifer. Por dua që të gjithë ta kuptojnë, që çdo gjë tjetër të të vijë zarfi me votën brenda dhe ta hapësh zarfin, të ulesh aty dhe pastaj të vësh votë, e të marrësh rrugën ta çosh te posta për një kënetë në Shqipëri është vërtetë turp”, tha Rama.
Më tej kryeministri ironizoi edhe partitë e reja, që përveç emrit sipas tij nuk kanë asgjë të re.
“Pastaj janë edhe ca të tjerë që vijnë vërdallë edhe nëpër Itali, jemi forcë e re me ca emra bëhet jo s’bëhet, jo bashkë e jo veç, dëgjoni këtu. Ato të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarëve. Kanë mbushur listën e kandidatëve me farefis, dhe vënë vjerr e vjehërr e baxhanakë e ju premtojnë qiqra në hell. Dihet se kush nuk ka gjë në dorë të fal Milanon. Por të çosh votën te ata është ta çosh dëm. Ne na duhet të bëhemi nji, si gishtat e kësaj dore, dhe ta vendosim vetë fatin Europian të Shqipërisë, që mos harroni në javën e fitores tonë, në 11 maj ne votojnmë, e në 16 do të zbresin në sheshin “Skënderbej” të gjithë udhëheqësit e kontinentit”, u shpreh Rama.





