Subscribe

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar absurd vendimin e SPAK-ut për të bllokuar investimin privat në Portin e Limionit në Sarandë. Hetimet që po zhvillohen lidhur me mënyrën se si është hartuar kontrata mes ministrisë së Mbrojtjes dhe investitorit, për kreun e qeverisë është një arbitraritet i prokurorisë, që mund t’i kushtojnë shtetit qindra milionë euro nëse çështja përfundon në arbitrazh.

“Absurdi arrin deri në pikën ku merret penge me sekuestro preventive në emër të NATO-s, një investim me rëndësi strategjike prej 200 milionë eurosh në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike. Prej dy a tre vjetësh, rri i bllokuar se hetohet mënyra si është lidhur kontrata. Unë nuk dua të komentoj arsyet e atij hetimi por ama nuk duhet një diplomë në juridik, për të kuptuar se të hetosh marrëveshjen e shtetit me sipërmarrjen private, ta bllokosh investimin dhe këtë ta bësh në emër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare duke bërë NATO-n të qeshë dhe të ndërhysh në kompetencën e një pushteti të pavarur që është sovran për sigurinë kombëtare. Ky është arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte qimet e kokës shtetit shqiptar në rast se investitorët do të ishin cinik ta çonin në arbitrazh. Kjo buron nga një arbitraritet që lidhet me mendësinë e një hetuesi”, tha Rama.

Por në fjalën e tij para asamblesë së Partisë Socialiste, kreu i qeverisë i dha përgjigje edhe kritikëve dhe akuzave se po shet pasurisë e vendit tek oligarkët. Rama ju referua interesit të shfaqur për investim në Ishullin e Sazanit  nga dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të realizuar dy investime të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi si shembull të paarritshëm për investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës. Është forma më prestigjioze e hotelerisë në botë. Ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri përjashtoi mundësinë që ky investim të ketë lidhje me ligjin e zonave të mbrojtura, ndërsa tha se do të ketë një rijetëzim të pronave të ushtrisë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *