Duke marrë shak nga përplasja e vazhdueshme mes mazhorancës dhe Presidencës, zv.sekretari i LSI-së, Luan Rama shprehet se denoncimi i shkeljeve sistematike i qeverisë në përpjekje për të marrë në mënyrë antikushtetuese kompetencat e Presidentit, sipas tij është dëshmia alarmante e antikushtetutshmërisë.

 

Në këto kushte, Rama kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të SPAK, sipas urdhëresave që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale.

 

“Jo për të bërë presion, po për të bërë apel që organet e zbatimit të ligjit, dhe në mënyrë të veçantë, organet e SPAK-ut, duhet të ndërhyjnë menjëherë sipas urdhëresave që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale, për të ndaluar veprimin e mëtejshëm të keqbërësve kudo që ata gjenden, në KED apo në MD, pra në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo në Ministrinë e Drejtësisë, në Kuvend apo në qeveri, në mënyrë që duke vepruar me forcën e ligjit, të parandalohet thellimi i mëtejshëm i të gjithë funksionarëve të këtyre institucioneve në shkelje të ligjit.”

 

Nga ana tjetër, ish-deputeti i LSI bën thirrje që të zbardhet e vërteta e puçit kushtetues, në përpjekje për të rrëzuar Republikën.

 

Çdo përpjekje për t’u fshehur pas Koronavirusit, sipas tij është në thelb shërbim ndaj atyre që kanë shkelur Kushtetutën.

 

“Në këtë kontekst, veprimi i menjëhershëm i SPAK-ut, është imperativë për të vendosur autoritetin e ligjit pikë së pari; për të ndëshkuar keqbërësit pikë së dyti; dhe ajo çfarë është e rëndësishme, për të treguar integritet dhe paanësi në zbatimin e ligjit, ç’ka do të bënte që SPAK-u te jepte përmes shembullit konkret, mesazhin e parë tek qytetarët shqiptar të cilët mund dhe duhet të kenë besim tek reforma në drejtësi dhe tek institucionet e reja të qeverisjes së drejtësisë. Por ndërkaq, çdo përpjekje për të krijuar alibi apo çdo alibi për t’u fshehur pas coronavirusit apo pas krimovirusit të qeverisë, është në thelb shërbim për antikushtetuetshmërinë, është shërbim ndaj atyre që kanë shkelur kushtetutën. Prandaj, data 2 mars është data që ndan shqiptarët që duan Shqipërinë, shqiptarët që duan atdheun, shqiptarët që respektojnë dhe nderojnë Kushtetutën, përballë çetës së horrave dhe falsifikatorëve, që duke shkelur ligjin mendojnë të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese, për t’ia kundërvënë pastaj këtë institucion për interesat e tyre kriminale, interesave europiane të vendit. Data 2 mars është datë apel për të gjithë qytetarët shqiptarë për të qenë të gjithë bashkë, në anën e Republikës, për të qenë bashkë në anën e Kushtetutës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *