Subscribe

Një atentat me armë zjarri tronditi Laçin këtë të premte.

 

Rakip Roli, 55 vjeç u ekzekutua me breshëri plumbash nga të paktën dy persona teksa ishte duke lëvizur me makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:45 ,në fshatin Sanxhak.

 

Viktima sapo kishte dalë nga banesa, kur u qëllua për vdekje. Atentatorët, sipas policisë, i kishin zënë pritë dhe ishin në këmbë. Ata hapën zjarr me kallashnikov sapo panë biznesmenin t’u afrohej e më pas u larguan me shpejtësi.

 

Këto janë pamjet e automjetit të 55-vjeçarit: në të gjithë makinën ka shenja të plumbave, shtatë prej të cilëve përfunduan në trupin e viktimës.

 

Nga të shtënat u rrezikua dhe jeta e kalimtarëve të rastit. Kjo pasi gjatë momentit të ekzekutimit Rakip Roli humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një automjet tip “Benz” që po kalonte aty afër e më pas përfundoi në kanal.

 

Fatmirësisht nuk pati persona të tjerë të lënduar.

 

Ndërkohë në tentativë për t’i ardhur në ndihmë të atit, njëri nga djemtë e viktimës humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi. Ai u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

 

Ende nuk dihet shkaku i vrasjes, ndërsa dy pistat paraprake janë konfliktet personale te 55-vjeçarit  si dhe prishja e pazareve të drogës.

 

Në vitin 2011, Rakip Roli u procedua pasi së bashku me katër persona të tjerë dhunoi me mjete të forta një 22-vjeçar. Ndërsa pak kohë më parë, djemtë e viktimës u vunë nën hetim për trafik të lëndëve narkotike.

 

Rakip Roli mbante dhe emrin Pilot Rroli. Ai ishte baba i tre fëmijëve, ndërsa menaxhonte një biznes materialesh ndërtimi në qytetin e Laçit.

 

Policia organizoi menjëherë kontrolle në të gjithë zonën për kapjen e autorëve. U sekuestruan kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, si dhe u morën dëshmitë e para të personave që panë ngjarjen si dhe familjarëve.

 

Pas verifikimeve u shpallen në kërkim si persona të përfshirë në krim Skënder Likaj dhe djali i tij, Llej Likaj. Sipas burimeve, dy familjet kanë pasur një konflikt së fundmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *