Këto janë momentet kur kamerat kanë regjistruar sulmin me raketa ruse në sheshin “Liria” të qytetit Harkiv me rreth 1.6 milion banorë.

 

Në shënjestër kanë qenë zyrat qeveritare, ndërsa shpërthimi ka prekur edhe qendra të banuara, shkolla dhe spitale.

 

Harkiv është qyteti më i madh në Ukrainë dhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe arsimore, ku gjenden rreth 20 universitete.

 

Kjo është gjithë çka mbetur këtë të martë. Situata humanitare është shqetësuese, ndërsa nuk dihet numri i viktimave dhe të plagosurve, mes të cilëve gjenden edhe fëmijë.

 

Vetëm pak orë pas raundit të parë të negociatave mes delegacionit rus dhe atij ukrainas, bombardime ka patur edhe në qytete të tjera të vendit.

 

Gjurmët e shkatërrimit janë alarmante ndërsa zyrtarët ukrainas përsërisin thirrjet që të marrin fund krimet kundër njerëzimit.

 

Ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya në Mbledhjen Emergjente të Asamblesë së Përgjithshme mbi pushtimin rus të Ukrainës, rrëfeu bisedën e një ushtari rus tashmë të vrarë, me nënën e tij.

 

 

SERGIY KYSLYTSYA

AMBASADOR I UKRAINES, OKB

 “Mami nuk jam më në Krime, nuk jam as në stërvitje. Jam në Ukrainë, këtu po ndodh një luftë e madhe, kam frikë. Po bombardojmë shumë qytete, në shënjestër kemi edhe civilë. Na u tha se ukrainasit do të na mirëprisnin por tani ne po i vrasim sepse po vendosin veten nën rrotat e artilerive tona, duke u përpjekur të na ndalin. Ata na quajnë fashistë mami, kjo është shumë e rëndë.

 

Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë ka nisur hetimet mbi krimet ndaj civilëve ukrainas.

 

Ndërkohë, mijëra qytetarë vijojnë t’i bashkohen vullnetarisht forcave të armatosura ukrainase, ndërsa mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se kryeqytetit Kiev, po i afrohet një autokolonë ushtarake disa kilometra e gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *