“Qyteti Studenti”, vetëm pak muaj më parë, nga një ‘ishull” në Tiranë, sot është kthyer në një nga atraksionet më të frekuentura jo vetëm për studentët që banojnë në godinat tashmë të rikonstruktuara, por edhe për shumë studentë të fakulteteve të tjera, si dhe për qindra e mijëra banorë të njësisë nr. 2 që banojnë përreth.

 

Falë angazhimit të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës në kuadër të “Paktit për Universitetin” u arrit që ajo që nuk ishte bërë për 30 vite të bëhej brenda pak kohe duke i transformuar tërësisht kushtet. Vetë studentët dhe banorët përreth shprehen se transformimi i kryer në harkun kohor të 7 muajve,“ishte i paimagjinueshëm dhe për më optimistin”.

 

“Nuk kemi nevojë më të përshkuajmë pak kilometra për të mbërritur tek Liqeni. Gjithshka këtu të jep po atë ndjesi që të jep dhe Parku i Liqenit. Ka pemë, lulishte, shatërvanë, si dhe njerëz të përkushtuar që punojnë vazhdimisht jo vetëm për ta mirëmbajtur, por edhe për të zgjeruar sipërfaqen e gjelbëruar në“Qytetin Studenti”. Fëmijë, nëna të reja, gjyshër dhe gjyshe, çdo ditë frekuentojnë hapësirat në“Qytetin Studenti”, aq sa shpesh na duket se jemi njësuar dhe me vetë studentët. Bashkia e Tiranës ka bërë një punë të shkëlqyer dhe meriton vërtetë vlerësim e mirënjohje”, shprehet Ema, një nënë e re e cila thuajse çdo ditë nxjerr vajzën e saj të shëtisë përreth lulishteve në“Qytetin Studenti”.

 

Edhe nënë Esmaja që shoqëron nipin e saj tek luan në këto hapësira shpreh vlerësimet më maksimale për punën e kryer.

 

“Kam dhjetra vite që banoj përreth “Qytetit Studenti. Ndryshimi është“nata me ditën”. Më vjen mirë jo vetëm për nipin tim që luan në këto mjedisi, por edhe për fytyrat gjithnjë e më shumë qeshura të vetë studentëve. Gëzohem për ta si për fëmijët e mi”, shprehet ajo.

 

“Qyteti Studenti” magnet edhe për studentët nga Tirana

 

Arlinda është në vitin e parë ekonomik. Ajo banon në Tiranë. Por së bashku me 2 shoqet e saj, sa herë që ka pushim mes orëve, vijnë në lulishtet e “Qytetit Studenti”, siç shprehet ajo “larg rrëmujës”.

 

“Eshtë një oaz fantastik. Ka lulishte, shikon godina të sistemuara, vepra arti, fëmijë, qytetarë të ndryshëm, të cilët i gëzohen këtyre ditëve të vjeshtës. Vij me dy shoqet e mia, sepse vërtetë më pëlqen. Më vjen mirë që krahas Pazarit të Ri, Kalasë, Sheshit Skënderbej, Parkut të Liqenit, Tirana ka tashmë edhe një pikë tjetër shumë të frekuentuar siç është kthyer “Qyteti Studenti”. Ndryshimet janë të prekshme për çdo njeri që ka ‘sy në ballë”. Kam shumë shoqe studente që banojnë në“Qytetin Studenti”. Ua kam zili. Do doja vërtetë të isha edhe unë pjesë e banorëve të këtij Qyteti, pasi një atmosferë të tillë shumë rrallë e gjen në Tiranë”, shprehet Arlinda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *